Duda: Polonia gati të presë armë bërthamore!
2024-04-23 15:55:28

foto nga CFP

foto nga CFP

“Polonia është e gatshme të presë armë bërthamore nëse NATO vendos të vendosë armët përballë Rusisë që përforcon armatimet e saj në Bjellorusi dhe Kaliningrad”, ka bërë të ditur presidenti i vendit, Andrzej Duda, njofton RTSH.

“Nëse aleatët tanë vendosin të vendosin armë bërthamore në territorin tonë si pjesë e ndarjes bërthamore, për të përforcuar krahun lindor të NATO-s, ne jemi gati ta bëjmë këtë. Unë kam folur tashmë për këtë disa herë. Më duhet të pranoj që kur u pyeta për këtë, u shpreha gatishmërinë tonë. Rusia po militarizon gjithnjë e më shumë Kaliningradin. Kohët e fundit ajo ka zhvendosur armët e saj bërthamore në Bjellorusi,” tha Duda.

Polonia, një anëtare e NATO-s dhe një mbështetëse e vendosur e Ukrainës ndan një kufi si me enklavën e Kaliningradit të Rusisë, ashtu edhe me Bjellorusinë, aleatin e Moskës. Në qershor 2023, Vladimir Putin konfirmoi se Rusia kishte dërguar armë taktike bërthamore në Bjellorusi e cila kufizohet me Ukrainën dhe Poloninë.

Duda foli për mediat polake pas një vizite në Nju Jork, ku zhvilloi takime në OKB dhe diskutoi për luftën në Ukrainë me ish-presidentin amerikan Donald Trump.  Në mars, ai vizitoi Uashington DC, ku u takua me Presidentin e SHBA Joe Biden.(Fatosi)