Shkelje në Bregun Perëndimor, Netanjahu zotohet të refuzojë sanksionet e SHBA ndaj njësisë së IDF
2024-04-23 11:49:39

Benjamin Netanyahu (Foto RTSH)

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu ka deklaruar se do të refuzojë çdo përpjekjeje për të vendosur sanksione ndaj njësive ushtarake izraelite, njofton RTSH.

Reagimi i Netanjahut vjen pas  raportimeve se një batalion i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit po përballet me sanksione të SHBA-së për trajtimin e palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Sipas raportimeve në mediat izraelite, zyrtarët e Departamentit të Shtetit të SHBA-së kanë konfirmuar se po përgatiten të vendosin sanksione ndaj batalionit Netzah Yehuda të IDF-së, i cili është akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut kundër palestinezëve.

Sipas të njëjtave raportime,  SHBA po shqyrton gjithashtu lëvizje të ngjashme kundër njësive të tjera policore dhe ushtarake. Lëvizja e SHBA-së shënon herën e parë që qeveria amerikane vë në shënjestër një njësi të IDF, dhe vjen fill pas votimit nga Kongresi amerikan të ndihmës 26 miliardë dollarë për Izraelin.

“Do ta luftoj me të gjitha forcat”, ka deklaruar kryeministri Netanjah.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, i bëri thirrje SHBA-së që të tërhiqte synimin e saj për të sanksionuar Netzah Yehuda, duke thënë se bota po vëzhgonte më nga afër lidhjet midis SHBA-së dhe Izraelit.

"Çdo përpjekje për të kritikuar një njësi të tërë hedh një hije të rëndë mbi veprimet e IDF. Kjo nuk është rruga e duhur për partnerët dhe miqtë", ka thënë ai.(Fatosi)