foto: VCG
Ambasadori i Kinës në OKB ka bërë thirrje për nxitjen e paqes së qëndrueshme nëpërmjet zhvillimit të përbashkët në një debat të hapur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të hënën.
Arritja e zhvillimit bazë, përfshirës e të qëndrueshëm është themeli për sigurimin e paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të një vendi, tha Zhang Jun.
Duke vënë në dukje se shumica e çështjeve të nxehta në agjendën e Këshillit të Sigurimit ndodhin në rajonet në zhvillim ku ka varfëri dhe zhvillim të paqëndrueshëm, Zhang theksoi se arritja e respektit të ndërsjellë dhe zhvillimit të përbashkët është një mënyrë efektive për të ruajtur paqen ndërkombëtare.
foto: VCG
"Ne kemi vënë re se disa vende, duke përdorur demokracinë dhe të drejtat e njeriut si pretekst, ndërhyjnë haptas në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe imponojnë modele qeverisjeje ndaj të tjerëve. Praktika të tilla kanë çuar në trazira të zgjatura në disa rajone, si edhe në rritje të numrit të refugjatëve e emigrantëve ndërkufitarë, duke u kthyer në fund në bumerang kundër vetë autorëve," tha Zhang.
Sipas tij, vende të ndryshme kanë kushte kombëtare dhe kontekste historike e kulturore të ndryshm dhe duhet të respektohet plotësisht e drejta e çdo vendi për të zgjedhur rrugën e vet të zhvillimit dhe të mbështetet çdo vend në zgjedhjen e një modeli qeverisjeje që përputhet me kushtet e veta kombëtare.
foto: VCG
Kina bën thirrje për realizimin e zhvillimit të përbashkët e të sigurisë së përbashkët dhe ndërtimin e një komuniteti miqësor ndërkombëtar, dhe do të vazhdojë të mbështesë OKB-në dhe Këshillin e Sigurimit në luajtjen e një roli kryesor dhe bashkërendues në kauzën e paqes dhe zhvillimit botëror, tha i dërguari kinez.
Zhang shtoi se Kina do të rritë ofrimin e burimeve dhe do t'u japë impuls të mëtejshëm veprimeve përkatëse të OKB-së dhe vendeve anëtare të saj nëpërmjet Fondit të Zhvillimit Global e të Bashkëpunimit Jug-Jug dhe Fondit për Paqen dhe Zhvillimin Kinë-OKB. (Artan)