Presidentja e KE-së: Krijimi i dy shteteve është e vetmja mënyrë për të arritur paqen në Lindjen e Mesme
2023-11-21 18:14:02

Von der Leyen (Foto Mediashqip)

Von der Leyen (Foto Mediashqip)

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dënoi dhunën e papranueshme të ekstremistëve në Bregun Perëndimor dhe përsëriti mbështetjen e BE-së për një zgjidhje me dy shtete për konfliktin e Lindjes së Mesme, njofton “ATSH”.

“Ne jemi dakord që cikli i dhunës duhet të prishet. Zgjidhja me dy shtete është e vetmja mënyrë për të arritur paqen”, shkroi von der Leyen në platformën “X”.

Shefja e KE-së, gjatë një takimi me mbretin e Jordanisë, Abdullah II, deklaroi se BE-ja do të punojë me Jordaninë për të siguruar dërgimin e më shumë ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

“Ne do të bashkëpunojmë me Jordaninë për të ofruar ndihmën humanitare shumë të nevojshme për Gazën”, theksoi von der Leyen.  (Fatosi)