Kina i quan akuzat e Australisë për takimin e anijeve luftarake si "plotësisht të pabaza"
2023-11-21 20:40:02

Kina i ka hedhur poshtë si plotësisht të pabaza akuzat e Australisë që një anije luftarake kineze bëri veprime "të pasigurta dhe joprofesionale" ndërsa ndërvepronte me një anije australiane.

 

Pala kineze i kundërshton me forcë komentet "e pabaza" nga pala australiane dhe i ka paraqitur asaj demarsh serioz, tha të hënën Wu Qian, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës.

 

Sipas tij, fregata australiane “HMAS Toowoomba” po vepronte në ujërat pranë Detit të Kinës Lindore, ku destrojeri kinez “Ningbo” mori masa të tilla si gjurmimi, monitorimi, identifikimi dhe verifikimi në përputhje me ligjin dhe rregulloret.

 

Anija kineze iu përmbajt rreptësisht rregullave ndërkombëtare, si Kodi për Takimet e Paplanifikuara në Det dhe Rregulloret Ndërkombëtare për Parandalimin e Përplasjeve në Det, duke mbajtur një distancë të sigurt nga anija australiane dhe duke mos u angazhuar në asnjë aktivitet që mund të ndikonte në operacionet australiane të zhytjes, shtoi Wu.

 

Në përgjigje të deklaratave australiane se "‘HMAS Toowoomba’ ishte në ujërat ndërkombëtare brenda zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë", zëdhënësi theksoi se nuk ka asnjë vijë ndarëse midis Kinës dhe Japonisë në ujërat përkatëse dhe se aktivitetet ushtarake të Kinës nuk u zhvilluan brenda zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë.

 

Wu i bëri thirrje palës australiane që të respektojë faktet dhe të pushojë së bëri akuza të pamatura e të papërgjegjshme kundër Kinës. Ai i kërkoi gjithashtu Australisë të angazhohet në veprime që do të rrisin besimin e ndërsjellë dhe do të kontribuojnë në zhvillimin pozitiv të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe ushtrive.