CFP
Ushtria izraelite bëri të ditur se kishte zbuluar një tunel të gjatë prej 55 metrash, 10 metra nën kompleksin e spitalit Al-Shifa të Gazës, njofton “RTSH”.
Izraeli thotë se tuneli ishte i pajisur me shkallë, një derë të blinduar dhe një të çarë që mund të përdoret nga snajperët për të bllokuar forcat izraelite që të hyjnë brenda.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit njoftuan po ashtu se boshti i tunelit ishte në një pjesë të kompleksit spitalor ku javën e kaluar u gjet një automjet i mbushur me armë.
Ushtria izraelite njofton se ishte ende duke hulumtuar se deri ku arrin tuneli.
“Gjetjet vërtetojnë qartë se ndërtesa të shumta në kompleksin e spitalit përdoren nga Hamasi si mbulesë për infrastrukturën dhe aktivitetet terroriste”,- bëri të ditur ushtria e Izraelit.
Ushtria izraelite është nën trysni për të mbështetur pohimet e saj se spitali Al-Shifa është përdorur si bunker e qendër komanduese e Hamasit, grupit militant palestinez që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur si organizatë terroriste. Hamasi dhe personeli i spitalit i kanë mohuar akuzat. (Fatosi)