foto: VCG
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning tha të martën se marrëdhëniet dypalëshe kino-argjentinase po tregojnë prirje të mirë zhvillimi. Kina është e gatshme të vijojë të punojë së bashku me Argjentinën për të promovuar marrëdhëniet e qëndrueshme dhe afatgjata ndërmjet dy vendeve.
Në konferencën e shtypit një gazetar citoi një njoftim të agjencisë ruse të lajmeve “RIA Novosti”, sipas të cilit Diana Mondino, këshilltare për punët e jashtme e presidentit të zgjedhur të Argjentinës Javier Milei, është shprehur se "bashkëpunimi me qeverinë kineze do të ndalojë ". Në përgjigje të kësaj pyetjeje, Mao Ning vuri në dukje: "Me sa di unë, përmbajtja që përmendët nuk është në përputhje me përmbajtjen e intervistës së publikuar në faqen e ‘RIA Novosti’. Mondino tha në intervistë se bota e jashtme e ka keqkuptuar politikën e jashtme të presidentit të zgjedhur Javier Milei. Asnjë vend nuk mund të zhvillojë bashkëpunim ekonomik dhe tregtar të shkëputur nga marrëdhëniet diplomatike. Nëse Argjentina ndërpret lidhjet me vendet e mëdha si Kina apo Brazili, ky do të jetë një gabim serioz për diplomacinë e Argjentinës. Kina është partnere e rëndësishme tregtare e Argjentinës dhe qeveria argjentinase u kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Kinën, veçanërisht bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve”.
Mao Ning theksoi se Kina është partnerja e dytë më e madhe tregtare dhe tregu më i madh i eksportit të produkteve bujqësore argjentinase. Ekonomitë e të dy palëve janë shumë përplotësuese dhe kanë potencial të madh bashkëpunimi. Kina është e gatshme të vazhdojë të punojë së bashku me Argjentinën për të promovuar qëndrueshmërinë dhe zhvillimin afatgjatë të marrëdhënieve dypalëshe. (Zhan Dian/Artan)