Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi shkëmbeu të hënën mesazhe urimi me ministrin e Jashtëm palestinez Riyad Al-Maliki për 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
Foto: VCG
Ministri i Jashtëm kinez tha se gjatë 35 vjetëve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, të dy vendet kanë ruajtur gjithmonë marrëdhëniet e shëndetshme dhe të qëndrueshme, ndërsa miqësia ndërmjet popujve është thelluar vazhdimisht. Në qershorin e sivjetshëm, të dy liderët deklaruan vendosjen e partneritetit strategjik, duke treguar qartë drejtimin për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. “Unë jam i gatshëm të punoj me ministrin e Jashtëm palestinez Maliki për t’u përpjekur bashkërisht për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të dy krerëve të shtetit dhe për të nxitur partneritetin strategjik kino-palestinez të arrijë vazhdimisht nivele të reja. Kina gjithmonë mbështet me vendosmëri kauzën e drejtë të popullit palestinez për të rivendosur të drejtat e tij të ligjshme kombëtare. Kina i kushton vëmendje situatës aktuale në Gazë dhe ka bërë gjithmonë thirrje për armëpushim të menjëhershëm, mbrojtjen e civilëve dhe lehtësimin e situatës humanitare, si edhe për zbatimin e ‘zgjidhjes me dy shtete’. Kina do të vazhdojë të bëjë përpjekje të pandërprera për zgjidhjen sa më shpejt të çështjes palestineze në një mënyrë gjithëpërfshirëse, të drejtë e të qëndrueshme,” tha kryediplomati kinez.
Ministri i Jashtëm palestinez Riyad Al-Maliki theksoi se në qershorin e sivjetshëm, presidenti Abbas dhe presidenti Xi Jinping zhvilluan një takim historik në Pekin, duke përcaktuar rrugën e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme. Ai u shpreh i gatshëm të punojë me homologun Wang Yi për të zbatuar rezultatet e arritura nga takimi i dy udhëheqësve dhe për të konsoliduar partneritetin strategjik dypalësh. Pala palestineze mbështet me vendosmëri ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë, Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global, të paraqitura nga presidenti Xi. Pala palestineze do të vijojë të ndjekë politikën e “Një Kine” dhe vlerëson lart palën kineze për pozicionin e drejtë në çështjen e Gazës dhe mbështetjen e kauzës së drejtë të popullit palestinez. (Li Huailiang/Artan)