Gjermania ligji emigracionit (Foto Monitor)
Gjermania ndryshoi ligjin për emigracionit pasi ka nevojë urgjente për punëtorë të kualifikuar nga jashtë, njofton RTSH. Sipas ndryshimeve të reja të ligjit, specialistët nga vendet e treta me diplomë universitare ose nivel kualifikimi të ngjashëm, tani mund të imigrojnë në Gjermani me Kartën Blu të BE-së pa patur dëshmi të aftësive gjuhësore.
Për industrinë e Teknologjisë së Informacionit, punëtorët e kualifikuar pa diplomë universitare mund të marrin një kartë blu të BE-së, nëse vërtetojnë se kanë përvojë 3-vjeçare në këtë fushë.
Kush plotëson të gjitha kushtet si punonjës i kualifikuar me formim profesional ose akademik ka të drejtë të marrë leje qëndrimi, vendim që deri tani merrej nga misionet diplomatike dhe autoritetet e imigracionit. Sipas rregullave të reja, hiqet kufizimi për të punuar në fushën profesionale që dikush ka studiuar, por bën përjashtim mjekësia, drejtësia e mësimdhënia. Ndërkohë lehtësohet miratimi për drejtuesit profesionistë të automjeteve nga Agjencia Federale e Punësimit.
Nga 1 marsi i vitit të ardhshëm hyn në fuqi njohja e kualifikimeve profesionale, që më parë ka qenë një pengesë burokratike në Gjermani. Kush ka një kualifikim profesional të njohur nga shteti në vendin e origjinës dhe ka 2 vite përvojë mund të emigrojë si punëtor në këtë vend. Ligji sjell risi edhe për ribashkimin familjar. Nëse punëtorët duan të bashkohen me bashkëshortët dhe fëmijët e mitur, ata duhet të dëshmojnë se u mjaftojnë të ardhurat për të jetuar.
Nga qershori 2024 hyn në fuqi karta e mundësive me sistem pikësh. Përmes saj gjithkush mund të shkojë në Gjermani për të kërkuar punë për një vit, nëse e ka të siguruar jetesën. Ndryshime do të ketë edhe në Rregulloren e Ballkanit Perëndimor për rekrutimin e punëtorëve nga Shqipëria dhe 5 vendet e rajonit. Nga qershori 2024, do të jetë e vlefshme për një periudhë të pakufizuar dhe kuota vjetore do të dyfishohet në 50 mijë punëtorë.(Fatosi)