Pikat kryesore të vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në ShBA
2023-11-20 22:10:34

Pas pjesëmarrjes në një numër veprimtarish në San-Francisko për katër ditë, duke përfshirë samitin Kinë-ShBA dhe Mbledhjen e 30-të të Liderëve Ekonomikë të Azi-Paqësorit (APEC), presidenti Xi Jinping u kthye në Pekin të shtunën në mbrëmje.

Ja pesë prej pikave kryesore të vizitës së presidentit kinez në ShBA.

1. Samiti Xi - Biden

Takimi i shumëpritur ndërmjet presindetit Xi Jinping dhe homologut të tij amerikan Joe Biden u zhvillua të mërkurën në rezidencën Filoli, rreth 40 kilometra në jug të San-Franciskos. 

Në fjalët e tij të hapjes në bisedimet dypalëshe, Xi theksoi se bota është mjaft e madhe për Kinën dhe Shtetet e Bashkuara që të kenë sukses dhe suksesi i një vendi është një mundësi për vendin tjetër. 

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

Ai u bëri thirrje të dy vendeve të formojnë një vizion të ri dhe të ndërtojnë së bashku pesë shtyllat e marrëdhënieve dypalëshe: të krijojnë një perceptim të drejtë për njëri-tjetrin, t'i menaxhojnë mosmarrëveshjet në mënyrë efektive, të çojnë së bashku përpara bashkëpunimin me përfitim të ndërsjellë, të mbajnë përgjegjësitë si vende të mëdha dhe të promovojnë shkëmbimet njerëzore.

2. "Lidhje më të ngushta ndërmjet popujve tanë" 

Në një darkë mirëseardhjeje të mërkurën mbrëma, Xi theksoi rëndësinë e rolit të popujve në marrëdhëniet kino-amerikane.

Themeli i marrëdhënieve kino-amerikane është hedhur nga të dy popujt, dera e marrëdhënieve kino-amerikane është hapur nga të dy popujt, historitë e marrëdhënieve kino-amerikane janë shkruar nga të dy popujt dhe e ardhmja e marrëdhënieve kino-amerikane do të krijohet nga të dy popujt, vuri në dukje Xi.

Foto: VCG

Foto: VCG

3. "'Kina e ardhshme' do të jetë përsëri Kinë"

Në një fjalim me shkrim në Samitin e CEO-ve të APEC-ut të enjten, Xi shprehu besimin e vet të fortë te ekonomia e Kinës, duke thënë që Kina mbetet motori më i fuqishëm i rritjes globale dhe do të krijojë një të tretën e rritjes globale këtë vit.

 "Ashtu siç kanë thënë disa drejtues të bashkësisë së biznesit, Kina është bërë një sinonim i destinacionit më të mirë të investimeve dhe se 'Kina e ardhshme' do të jetë përsëri Kinë," theksoi kreu i shtetit kinez.

4. "30 vjetët e artë" të ardhshëm për Azi-Paqësorin 

Gjatë fjalës së vet në Mbledhjen e 30-të të Liderëve Ekonomikë të APEC-ut të premten, Xi u bëri thirrje anëtarëve të APEC-ut të vijojnë risitë, hapjen dhe zhvillimin e gjelbër e përfshirës në promovimin e bashkëpunimit rajonal, me qëllim që Azi-Paqësori të ketë "30 vjet të artë" të tjerë. 

"Ne, udhëheqësit e ekonomive të Azi-Paqësorit, duhet të mendojmë shumë se çfarë lloj rajoni të Azi-Paqësorit duhet të kemi deri në mes të këtij shekulli, çfarë duhet të bëjmë për të pasur '30 vjet të artë' të tjerë për rajonin dhe se si mund të tregojmë anën më të mirë të APEC-ut në këtë proces," tha ai. 

5. Takimet dypalëshe me udhëheqësit e Meksikës, Perusë, Fixhit, Bruneit dhe Japonisë

Gjatë vizitës, Xi zhvilloi gjithashtu takime të veçanta me presidentin e Meksikës Andres Manuel Lopez Obrador, presidenten e Perusë Dina Boluarte, kryeministrin e Fixhit Sitiveni Rabuka, sulltanin e Bruneit Hassanal Bolkiah dhe kryeministrin e Japonisë Fumio Kishida.