Të hënën pasdite, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e vet francez Emmanuel Macron.
Foto: VCG
Xi vuri në dukje se, pas vizitës së presidentit francez në Kinë në prill, shkëmbimet midis Kinës dhe Francës në të gjitha nivelet kanë rinisur me shpejtësi dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme ka arritur shumë rezultate. Viti 2024 do të jetë 60-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës e Francës. Të dy palët duhet të trashëgojnë miqësinë tradicionie dhe të nxitin ngritjen e marrëdhënieve dypalëshe në një nivel të ri. Kina është e gatshme të ruajë shkëmbimet e nivelit të lartë, të zhvillojë mbledhjen e re të mekanizmit të shkëmbimeve njerëzore të nivelit të lartë kino-franceze, të nxitë arritjen e rezultateve të reja në bashkëpunimin në fushat arsimore, kulturore e shkencore dhe të promovojë shkëmbimet njerëzore ndërmjet të dy vendeve. Pala kineze e vlerëson lart pjesëmarrjen e palës franceze në Samitin e tretë të Bashkëpunimit Ndërkombëtar “Një brez, një rrugë” dhe Ekspozitën e 6-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës dhe mirëpret më shumë produkte franceze që të hyjnë në tregun kinez dhe më shumë sipërmarrje franceze që të investojnë në Kinë.
Xi theksoi gjithashtu se Kina dhe Franca kanë pasur një bashkëpunim të mirë përballë ndryshimit klimatik. Në Konferencën e ardhshme të 28-të të Palëve të Konventës Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Dubai, do të bëhet përmbledhja e parë për sa i përket Marrëveshjes së Parisit, do të vlerësohet përparimi i bërë në zbatimin e saj dhe do të hartohet procesi i ardhshëm i qeverisjes globale të klimës. Kreu i shtetit i Kinës tha se duhet të ruhet korniza institucionale e Marrëveshjes së Parisit. Kina është e gatshme të punojë me Francën për t'i dërguar një sinjal të fortë botës së jashtme se të dy vendet po punojnë së bashku për të përballuar ndryshimet klimatike dhe për të promovuar suksesin e konferencës në Dubai.
Presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se, në situatën e tanishme ndërkombëtare, është e rëndësishme për Francën dhe Kinën që të ruajnë komunikimin dhe bashkëpunimin strategjik. Franca është e gatshme ta marrë 60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike franko-kineze vitin e ardhshëm si një mundësi për të forcuar shkëmbimet e nivelit të lartë me Kinën dhe për të thelluar shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, tregtisë, aviacionit, shkëmbimeve kulturore-njerëzore etj. Franca shpreson të ruajë komunikimin e ngushtë me Kinën për Konferencën e 28-të të Palëve të Konventës Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Dubai dhe të vazhdojë bashkëpunimin mbi çështjet globale, si ndryshimi i klimës dhe mbrojtja e biodiversitetit. Franca është e gatshme të promovojë zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit të gjithanshëm strategjik BE- Kinë në frymën e respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella.
Liderët e të dy vendeve shkëmbyen mendime edhe mbi konfliktin palestinezo-izraelit. Ata shprehën besimin se përparësi kryesore është parandalimi i përkeqësimit të mëtejshëm të situatës, veçanërisht i një krize më serioze humanitare. "Zgjidhja me dy shtete" është rruga themelore për të zgjidhur ciklin e konflikteve midis Palestinës dhe Izraelit. Të dyja palët ranë dakord të vazhdojnë të ruajnë komunikimin për çështjet ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët dhe të kontribuojnë në ruajtjen e paqes e të qëndrueshmërisë botërore. (Li Huailiang/Artan)