Kina dënon dhunën dhe sulmet ndaj civilëve dhe fëmijëve në Rripin e Gazës
2023-11-20 22:02:02

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning shprehu të hënën tronditjen e trishtimin për sulmet në kampin e refugjatëve të Xhabalias dhe shkollat e OKB-së në Rripin e Gazës dhe dënoi dhunën e sulmet ndaj civilëve dhe fëmijëve.

Foto: VCG

Foto: VCG

Sipas raporteve, ushtria izraelite sulmoi të shtunën edhe një herë kampin e refugjatëve të Xhabalias në veri të Rripit të Gazës, duke shkaktuar më shumë se 100 të vdekur. Forcat izraelite goditën gjithashtu një shkollë të OKB-së në një kamp refugjatësh në Gazën Veriore, duke shkaktuar mbi 50 të vdekur.

“Sot është Dita Botërore e Fëmijëve, si dhe dita përkujtimore e miratimit të Deklaratës për të Drejtat e Fëmijëve dhe Konventës për të Drejtat e Fëmijëve nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Në këtë ditë jemi thellësisht të shqetësuar që fëmijët janë bërë shpesh objektiva të sulmeve në Rripin e Gazës. Deri në datën 15 të këtij muaji, më shumë se 4 600 fëmijë në Rripin e Gazës janë vrarë në këtë raund të konfliktit palestinezo-izraelit, rreth 9 mijë janë plagosur, ndërsa shumë fëmijë të tjerë janë ende të bllokuar në rrënojat e ndërtesave dhe jeta e tyre është e pasigurt,” tha zëdhënësja e diplomacisë kineze. Ajo u bëri thirrje palave të përfshira të zbatojnë rezolutat e sesionit të posaçëm urgjent të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe Rezolutën 2712 të Këshillit të Sigurimit, të respektojnë të drejtën humanitare ndërkombëtare, të pushojnë menjëherë zjarrin e luftën dhe të mbrojnë në mënyrë efektive jetën dhe të drejtat e fëmijëve. (Li Huailiang/Artan)