Kina krijon lokomotivën e parë plotësisht elektrike
2023-11-19 15:12:00

foto nga

foto nga CNR

Për të zgjidhur problemet e ndotjes së lartë dhe konsumit të lartë të karburantit të lokomotivave tradicionale me naftë, Kina prezantoi lokomotivën e parë elektrike me fuqi të lartë, shkruan “China Daily”.

“Me 1500 kilovat fuqi tërheqëse maksimale, kjo është lokomotiva elektrike më e fuqishme në Kinë”,- tha Kang Mingming, zëvendësdrejtor i qendrës së kërkimit dhe zhvillimit të “CRRC Zhuzhou Locomotive Co Ltd”.

Kang shtoi se kjo lokomotivë përdor një bateri fosfat litium-hekuri me kapacitet të madh si burimin e vetëm të energjisë. Ajo ka gjithashtu një pajisje karikimi të shpejtë me ftohje të lëngshme 1200 kW me fuqi ultra të lartë. Me një karikim të plotë, ajo mund të tërheqë 1200 tonë ngarkesë për 128 kilometra në mënyrë efektive, duke përmbushur kërkesat e transportit të ndërmarrjeve të çelikut dhe operacionet e manovrimit.

Krahasuar me lokomotivat tradicionale me naftë, ajo ka teknologji të gjelbër dhe me karbon të ulët, duke reduktuar emetimet e dyoksidit të karbonit për lokomotivë me rreth 150 tonë në vit, që është e barabartë me mbjelljen e 8200 pemëve, sipas kompanisë.

Në kushte të njëjta operimi, kjo lokomotivë mund të zvogëlojë kostot e energjisë me 1 milion juanë (138,000 dollarë) në vit dhe kostoja e përgjithshme e ciklit jetësor është 20 për qind më pak, tha ai. (Elona)