bateri litiumi / foto nga CFP
Shkencëtarët kinezë paraqitën në Panairin e Teknologjisë së Lartë në Kinë (CHTF) një bateri të sapozhvilluar që mund të funksionojë në të ftohtë dhe nxehtësi ekstreme, shkruan “Xinhua”.
Bateria mund të funksionojë në një temperaturë minimale deri në minus 70 gradë Celsius dhe në nxehtësi maksimale deri në 80 gradë, sipas projektuesit të saj Jiang Chunlei, nga Instituti Shenzhen i Teknologjisë së Avancuar (SIAT) nën Akademinë e Shkencave Kineze.
Grupi i Jiang projektoi një material të ri anode të përbërë me bazë alumini dhe elektrolite të shumta të përdorura në skenarë të ndryshëm, i cili është në gjendje të zgjerojë ndjeshëm gamën e temperaturës së funksionimit të baterisë.
Kohëzgjatja e baterisë është 13-25 për qind më e lartë se ajo e baterive tradicionale litium-jon. Përveç kësaj, ka treguar performancë të shkëlqyer të karikimit të shpejtë dhe mund të karikohet plotësisht në 20 minuta. Bateria është testuar në një projekt demonstrues të ruajtjes së energjisë së shpërndarë në Kinën verilindore, tha Jiang.
Kjo bateri pritet të zgjidhë edhe problemin e reduktimit të jetëgjatësisë së baterisë për automjetet elektrike në mot të ftohtë, sipas SIAT.
Panairi pesëditor CHTF nisi të mërkurën në qendrën e teknologjisë të Kinës Jugore, Shenzhen. Eventi vjetor, i nisur në vitin 1999, është panairi më i madh dhe më me ndikim i shkencës dhe teknologjisë në Kinë. (Elona)