foto nga CGTN
Takimi i 30-të i Liderëve Ekonomikë të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) përfundoi të premten në San Françisko me miratimin e Deklaratës së “Golden Gate” (një ngushticë midis Paqësorit dhe Gjirit të San Françiskos) mbi krijimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme për të gjithë.
"Ne duhet të shfrytëzojmë përparimin teknologjik dhe ekonomik për të vazhduar të çlirojmë potencialin dhe dinamizmin e jashtëzakonshëm në të gjithë rajonin tonë, të nxitim rritjen ekonomike si dhe të adresojmë të gjitha sfidat mjedisore, përfshirë ndryshimin e klimës." thuhet në deklaratë.
Deklarata u miratua pas takimit dyditor, gjatë të cilit liderët u fokusuan në temat e qëndrueshmërisë, klimës, tranzicionit të energjisë, ndërlidhjes dhe ndërtimit të ekonomive gjithëpërfshirëse dhe rezistente. Në dokument, liderët riafirmuan vendosmërinë e tyre për të ofruar një mjedis të lirë, të hapur, të drejtë, jo diskriminues, transparent, gjithëpërfshirës dhe të parashikueshëm të tregtisë dhe të investimeve.
Ata ripohuan gjithashtu rëndësinë e sistemit të tregtisë shumëpalëshe të bazuar në rregulla, me Organizatën Botërore të Tregtisë në thelbin e saj, e cila do të vazhdojë t’i japë shtysë të mëtejshme rritjes së jashtëzakonshme rajonale të APEC-ut.
Sipas deklaratës, ekonomitë e APEC-ut janë të përkushtuara për të rritur përpjekjet e tyre në ndërtimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimin teknik, në mbështetje të gadishmërisë së tyre për të marrë pjesë në sipërmarrje rajonale me cilësi të lartë dhe gjithëpërfshirëse.
Takimi i liderëve ishte pika kryesore e Javës së Liderëve të APEC-ut, të mbajtur në San Françisko nga 11 deri më 17 nëntor me temën "Krijimi i një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme për të gjithë". (Wang Lei/ Laçi)