Diamante (Foto RTSH)
Komisioni Europian po mendon vendosjen e sanksioneve të reja kundër Rusisë, këtë herë për të ndaluar furnizimet me diamante ruse, si pasojë e konfliktit me Ukrainën.
Një vendim përfundimtar mbi ndalimin e propozuar nga Komisioni Europian do të merret nga 27 vendet anëtare të BE-së në javët e ardhshme, shkruan “RTSH”.
Diamantet e nxjerra në verilindje të Rusisë përdoren ende në unazat e fejesës, gjerdanët dhe vathët në të gjithë botën.
BE-ja e ka shmangur deri më tani një ndalim, kryesisht pasi Belgjika ka qenë e prirë të mbrojë qytetin e Antwerp-it, i cilësuar si kryeqyteti i diamantit në botë.
Një e treta e diamanteve në botë janë nxjerrë në Rusi. Më shumë se 90% e diamanteve ruse prodhohen nga një kompani e vetme e quajtur “Alrosa” e cila është kryesisht në pronësi të subjekteve qeveritare ruse.
Prillin e kaluar, SHBA-ja ndaloi importet e diamanteve të papërpunuara nga Rusia dhe vendosi sanksione ndaj “Alrosa”-s.
Mungesa e gjurmueshmërisë është arsyeja pse tregtia është kaq tërheqëse për aktivitetin kriminal dhe pse kritikët thonë se një ndalim i BE-së është me pasoja.
Komplikimi kryesor është se 90% e furnizimit global të diamantit dërgohet jashtë vendit për t'u prerë dhe lustruar pavarësisht se ku është nxjerrë.
Kritikët besojnë se sanksionet e BE-së duke ndaluar furnizimet me diamante ruse do të kenë ndikim. (Elona)