CFP
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, e ka cilësuar Izraelin një shtet terrorist që synon të shkatërrojë Gazën dhe banorët e saj, shkruan “RTSH”.
Duke folur para ligjvënësve në mbledhjen javore parlamentare të partisë së tij Për Drejtësi dhe Zhvillim, Erdogan theksoi se në Gaza po bëhet gjenocid.
“Izraeli po zbaton strategjinë e shkatërrimit total të një qyteti dhe banorëve të tij. E them haptazi që Izraeli është shtet terrorist. Ne do të bëjmë përpjekje për të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në lidhje me gjenocidin dhe për të bërë njoftimin e nevojshëm”,- tha Erdogan.
Po ashtu, presidenti turk i bëri thirrje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të tregojë nëse Izraeli ka bomba bërthamore apo jo.
Izraeli nuk e pranon publikisht se ka armë bërthamore edhe pse Federata e Shkencëtarëve Amerikanë vlerëson se Izraeli ka rreth 90 të tilla.
Presidenti turk zhvilloi gjithashtu një bisedë telefonike me kryeministren italiane Giorgia Meloni, me të cilën diskutuan për mundësinë e mospërshkallëzimit të shpejtë të konfliktit në pjesën tjetër të rajonit dhe rëndësinë e mbrojtjes së civilëve. (Elona)