Foto nga IHEP
Observatori i Madh i Dushit të Ajrit në Lartësi të Madhe i Kinës (LHAASO), një observator rrezesh kozmike në lartësi të madhe, ka lëshuar spektrin e saktë të energjisë për rrezatimin e rrezeve gama me energji më të lartë nga shpërthimi më i ndritshëm i rrezeve gama (GRB) i vëzhguar deri më tani.
Studimi, i kryer nga ekipi i bashkëpunimit i LHAASO-s, u drejtua nga Instituti i Fizikës së Energjisë së Madhe (IHEP) i Akademisë Kineze të Shkencave dhe përfundimet u botuan kohët e fundit në revistën "Science Advances".
GRB-të janë shpërthime të mëdha energjie të vërejtura në galaktikat e largëta. Ato janë ngjarjet elektromagnetike më energjike dhe më ndriçuese që nga Shpërthimi i Madh (Big Bang).
GRB-ja e parë u zbulua në vitin 1967. Që nga viti 2019, janë zbuluar tre GRB me lëshime të larta energjie dhe janë regjistruar fotone deri në një TeV (një trilion voltë elektron).
Në tetor të vitit të kaluar, LHAASO regjistroi fotone nga GRB 221009A, me energji mbi 10 TeV, gjë që u konsiderua si një pikë kyçe në historinë prej gjashtë dekadash të studimit të GRB-së.
Foto: VCG
Përveç kësaj, spektri i energjisë i matur nga LHAASO sfidon modelin standard të rrezatimit të GRB-së, duke treguar se intensiteti i dritës së sfondit kozmik në bandën infra të kuqe është më i ulët sesa pritej. Kjo shkakton një rivlerësim të formimit dhe evolucionit të galaktikave në univers, sipas studimit.
Po ashtu, zbulimet e reja japin informacion kyç për shqyrtimin e teorisë së veçantë të relativitetit të Ajnshtajnit dhe fizikën e re, si eksplorimi i aksjoneve si grimca të mundshme të lëndës së errët.
LHAASO, që gjendet në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore në një mal me lartësi 4 410 metra mbi nivelin e detit dhe ka një sipërfaqe 1.36 kilometra katrorë, përdoret për vrojtimin dhe studimin e rrezeve kozmike. Ajo është pajisja më e ndjeshme për gjurmimin e rrezeve gama me energji ultra të lartë në botë, me një fushë të gjerë shikimi dhe aftësi vrojtimi në të gjitha kushtet e motit, duke vëzhguar dy të tretat e qiellit çdo ditë.