Xinhua
Presidenti kinez Xi Jinping tha të enjten se zhvillimi i qëndrueshëm është "çelësi i artë" për zgjidhjen e problemeve aktuale globale.
Në një dialog jozyrtar dhe drekë pune gjatë Mbledhjes së Liderëve Ekonomikë të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEK) në San-Francisko të ShBA-së, Xi bëri tre propozime për zhvillimin e qëndrueshëm.
Vitet e fundit, APEC-u ka zbatuar “Vizionin e Putrajaya-s të APEC-ut 2040” dhe "Objektivat e Bangkokut mbi ekonominë bio-qarkulluese-të gjelbër", duke dhënë një kontribut pozitiv në rritjen e gjelbër e të qëndrueshme globale.
"Në rrethanat aktuale, duhet të krijojmë më tej konsensus dhe të përqendrohemi te veprimi, për t'i dhënë një shtysë më të madhe kauzës së zhvillimit të qëndrueshëm global," vuri në dukje Xi.
Sipas tij, për të arritur këtë qëllim, duhet të përshpejtohet së pari zbatimi i Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030 së OKB-së.
Është e rëndësishme që zhvillimi të vendoset në plan të parë dhe në qendër të agjendës ndërkombëtare dhe të krijohet konsensus politik, për të siguruar që të gjithë ta vlerësojnë zhvillimin dhe të gjitha vendet të bashkëpunojnë, shtoi Xi.
Kina propozoi Nismën e Zhvillimit Global dhe ka bërë përpjekje të mëdha që komuniteti ndërkombëtar të krijojë sinergji dhe të trajtojë mangësitë e zhvillimit, theksoi ai.
Së dyti, duhet të krijohet një rrugë e re për transformimin e gjelbër të zhvillimit, tha kreu i shtetit i Kinës.
Duhet të bëhen përpjekje për të nxitur transformimin dhe ngritjen e nivelit të strukturave të energjisë, industrisë dhe transportit, koordinimin e promovimit të uljes së karbonit e të ndotjes, zgjerimit të gjelbër dhe rritjes, duke nxitur transformimin e drejtë të fuqisë punëtore dhe punësimin me cilësi të lartë, dhe duke ndërtuar një "shtëpi globale" ku ekonomia dhe mjedisi përparojnë në sinergji, u shpreh Xi.
Së treti, duhet formuar sinergjia globale për të trajtuar ndryshimin klimatik.
Presidenti kinez theksoi mbështjen për Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC) si kanalin kryesor në qeverisjen globale të klimës, zbatimin e parimit të përgjegjësive të përbashkëta por të ndryshme dhe formulimin shkencërisht të objektivave klimatikë bazuar në kushtet kombëtare përkatëse të vendeve të ndryshme.
Sipas kreut të shtetit kinez, është e nevojshme që të trajtohen shqetësimet e vendeve në zhvillim në lidhje me financimin, krijimin e kapaciteteve dhe transferimin e teknologjisë. Ai bëri thirrje për promovimin e zbatimit gjithëpërfshirës dhe efektiv të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike dhe Marrëveshjes së Parisit.
Xi theksoi se Kina do të zbatojë plotësisht konceptin e ri të zhvillimit, do të promovojë transformimin gjithëpërfshirës të gjelbër e me karbon të ulët të ekonomisë e të shoqërisë dhe do të vazhdojë të japë kontributin e vet në ndërtimin e përbashkët të një vatre me bashkëjetesë harmonike ndërmjet njeriut dhe natyrës.
Kina po promovon ndërtimin e "Një brez, një rrugë" të gjelbër dhe do të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin në fusha si infrastruktura e gjelbër, energjia e gjelbër e transporti i gjelbër dhe të mbështesë vendet në zhvillim për përmirësimin e krijimit të kapaciteteve të tyre nëpërmjet fondeve të posaçme për bashkëpunimin Jug-Jug mbi trajtimin e ndryshimeve klimatike, tha ai.
Kina është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha palët për të dhënë kontribut më të madh në ndërtimin e një komuniteti global të zhvillimit dhe krijimin e një bote të pastër dhe të bukur, shtoi Xi.
Dialogu jozyrtar u kryesua nga presidenti amerikan Joe Biden dhe kishte në fokus qëndrueshmërinë, klimën dhe transformimin e drejtë të energjisë.