Kryeparlamentari kinez thekson zhvillimin me cilësi të lartë të punës së asambleve popullore
2023-11-17 20:08:41

Foto: Zhao Leji, kryetari i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore, mëson mbi punën e deputetëve të asambleve popullore në një zyrë nëndistrikti në distriktin Jiulongpo të Chongqing-ut të Kinës Jugperëndimore, 15 nëntor 2023. (Xinhua)

Kreu i organit më të lartë ligjvënës të Kinës Zhao Leji ka kërkuar që të hidhen hapa të vendosur për të çuar përpara zhvillimin me cilësi të lartë të punës së asambleve popullore bazuar në funksionet e tyre. 

Zhao, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe kryetar i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore(parlament kinez), i tha këto gjatë një turneu inspektimi në Chongqing të Kinës Jugperëndimore nga e hëna deri të enjten. 

Në fshatra, lagje dhe ndërmarrje, ai foli me deputetë të asambleve popullore e banorë dhe vuri në dukje se deputetët vijnë nga populli dhe i kanë rrënjët te populli, duke u kërkuar atyre të shfrytëzojnë plotësisht mekanizmat dhe platformat për të kontaktuar me popullin.

Sistemi i asambleve popullore është një element i rëndësishëm institucional i demokracisë popullore në mbarë procesin, tha Zhao, duke u kërkuar asambleve popullore të vazhdojnë ta vënë popullin në qendër, të mbështeten plotësisht në opinionin dhe mençurinë e popullit, të mbrojnë të drejtat e interesat e popullit dhe të përmirësojnë mirëqenien e tij. 

Në një seminar të mbajtur gjatë turneut, Zhao u bëri thirrje deputetëve të asambleve popullore të përshtaten me kohët dhe të eksplorojnë qasje e masa të reja në punën e asambleve, të kryejnë kërkime e studime të thella dhe të aplikojnë të ashtuquajturin "të menduar sistemesh", duke mbajtur parasysh gamën e gjerë dhe numrin e autoriteteve të përfshira në punën e asambleve. (Artan)