Komisioni Europian ul parashikimin e rritjes ekonomike të BE-së dhe eurozonës
2023-11-17 11:38:04

CFP

CFP

Ekonomia e Bashkimit Europian humbi vrullin në vitin 2023, sipas parashikimit ekonomik të vjeshtës të Komisionit Europian. Komisioni ka ulur parashikimin e tij për rritjen ekonomike si në BE ashtu edhe në eurozonë këtë vit në 0.6 për qind, nga 0.8 për qind e parashikuar më parë, citon “Xinhua”.

Komisioni tha se Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në BE mezi u rrit në tre tremujorët e parë të 2023-shit. Inflacioni i lartë, ndonëse u zvogëlua nga kulmi i tij, dhe politika monetare shtrënguese, shkaktuan një dëm më të madh sesa pritej, krahas kërkesës së dobët të jashtme.

Treguesit më të fundit të biznesit dhe të dhënat e vrojtimit për muajin tetor treguan për ulje të aktivitetit ekonomik edhe në tremujorin e katërt të këtij viti, në kushtet e rritjes së pasigurisë.

"Ne po i afrohemi fundit të një viti sfidues për ekonominë e BE-së. Presionet e forta të çmimeve dhe shtrëngimi monetar i nevojshëm për t'i frenuar ato, si dhe kërkesa e dobët globale, kanë dëmtuar familjet dhe bizneset",- tha komisioneri europian për Ekonominë Paolo Gentiloni.

PBB-ja e BE-së parashikohet të rritet me 1.3 për qind në vitin 2024, 0.1 pikë përqindje nën parashikimin e verës. Ekonomia e eurozonës pritet të rritet me 1.2 për qind vitin e ardhshëm. Për vitin 2025, komisioni parashikoi rritje 1.7 për qind për BE-në dhe 1.6 për qind për eurozonën.

Sipas parashikimit të vjeshtës, inflacioni vazhdon të jetë në prirje rënëse. Inflacioni total në eurozonë parashikohet të bjerë nga 5.6 për qind këtë vit, në 3.2 për qind në 2024-n dhe 2.2 për qind në 2025-n. Në BE, norma e inflacionit në 2023-shin duhet të jetë 6.5 për qind dhe parashikohet të ulet në 3.5 për qind në 2024-n dhe në 2.4 për qind në 2025-n. (Elona)