Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të mërkurën në San-Francisko të ShBA-së me homologun e tij amerikan Joe Biden. Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës He Yadong vuri në dukje të enjten në një konferencë shtypi se ky takim tregon qartë drejtimin e marrëdhënieve Kinë-ShBA dhe të tregtisë dypalëshe. Ministria do të zbatojë me zell konsensusin e arritur nga të dy udhëheqësit dhe do të bëjë përpjekje për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të marrëdhënieve tregtare dypalëshe, duke i dhënë ekonomisë botërore më shumë qëndrueshmëri dhe energji pozitive.
Gjatë Takimit Jozyrtar të Liderëve të APEC-ut, dikasteret e tregtisë të të dy vendeve do të diskutojnë zbatimin e konsensusit të arritur nga të dy krerët e shteteve dhe do të zgjidhin çështjet e rëndësishme në marrëdhëniet tregtare dypalëshe, sipas Ministrisë së Tregtisë të Kinës.
foto: VCG
Në raundin e ri të dialogut mbi tregtinë dypalëshe, të dy palët u shprehën se nuk kërkojnë shkëputje ekonomike dhe mirëpresin zhvillimin e marrëdhënieve të shëndetshme ekonomike. Ministria kineze e Tregtisë theksoi se Kina ka theksuar shumë herë që zhvillimi i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm i marrëdhënieve tregtare Kinë-ShBA favorizon jo vetëm të dy vendet, por dhe botën. “Shkëputja” nuk përputhet me interesa thelbësore të të dy vendeve.
foto: VCG
Zëdhënësi shtoi se Kina është e gatshme të përpiqet bashkë me palën amerikane, duke ndjekur parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta. Pala kineze do të zbatojë në mënyrë aktive konsensusin e arritur në raundin e ri të dialogut tregtar Kinë-ShBA dhe do t'i sjellë më shumë siguri bashkëpunimit konkret ndërmjet të dy vendeve. (Li Huailiang/Artan)