Xi: Suksesi i një vendi është mundësi për tjetrin
2023-11-16 04:10:23

Në takimin me homologun amerikan Joe Biden në San Françisko më 15 nëntor sipas kohës lokale, presidenti Xi Jinping vuri në dukje se ka kaluar një vit nga takimi i fundit midis tyre në Bali të Indonezisë. “Shumë gjëra kanë ndodhur vitin e kaluar. Bota ka dalë nga pandemia COVID-19, por ndikimi i madh i epidemisë ngelet. Ekonomia botërore ka filluar të rimëkëmbet, por i mungon fuqia, zinxhirët industrialë dhe të furnizimit janë në luhatje dhe proteksionizmi është në rritje. Këto probleme janë shumë të dukshme. Si marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe në botë, marrëdhëniet Kinë-ShBA duhet të zhvillohen dhe planifikohen, duke marrë parasysh ndryshimet e papara në një shekull, në mënyrë që t’u sjellin përfitime popujve të të dy vendeve dhe të mbajnë përgjegjësi për përparimin e gjithë njerëzimit”, shtoi kreu i shtetit i Kinës.

Presidenti Xi tha se gjatë 50 viteve të fundit, marrëdhëniet kino-amerikane nuk kanë qenë kurrë pa probleme, por gjithmonë kanë ecur përpara në përgjithësi, pas zigzageve. Për dy vende aq të mëdha si Kina dhe ShBA-ja, është e pamundur që të izolohen nga njëri-tjetri, është joreale të përpiqen të ndryshojnë njëri-tjetrin dhe askush nuk mund të përballojë pasojat e konfliktit dhe konfrontimit.

“Unë ende besoj se konkurrenca midis fuqive të mëdha nuk është tema e kësaj epoke dhe nuk mund të zgjidhë problemet me të cilat ndeshen Kina, Shtetet e Bashkuara dhe bota”, theksoi Xi. 

“Në Tokë mund të bashkëekzistojnë Kina dhe Shtetet e Bashkuara dhe sukseset tona përkatëse janë mundësi për njëri-tjetrin. Dallimet në histori, kulturë, sisteme sociale dhe rrugët e zhvillimit midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara janë realitete objektive. Megjithatë, nëse mund të respektojmë njëra-tjetrën, ngulim këmbë në bashkëekzistencën paqësore dhe bashkëpunimin me leverdi ndërsjellë, ne mund të kapërcejmë plotësisht divergjencat dhe të gjejmë rrugën e duhur për të dy fuqitë kryesore. Unë besoj se e ardhmja e marrëdhënieve kino-amerikane është e ndritshme”, vuri në dukje kreu i shtetit të Kinës.

“Z. President dhe unë jemi në krye të marrëdhënieve midis Kinës dhe SHBA-së, duke mbajtur përgjegjësi të mëdha ndaj popullit, botës dhe historisë. Pres me kënaqësi të shkëmbej pikëpamje të thella me Z. President mbi çështjet strategjike globale si dhe lidhur me marrëdhëniet tona dypalëshe si dhe çështje të tjera kryesore lidhur me paqen dhe zhvillimin botëror dhe të arrijmë një konsensus të ri”, u shpreh presidenti kinez Xi.