Olaf Scholz kundër bllokadës së Greqisë ndaj Shqipërisë
2023-11-16 14:38:40

Mitsotakis dhe Scholz (Foto ATSH)

Kancelari gjerman Olaf Scholz është kundër bilateralizimit të procesit të anëtarësimit në BE. Nga Berlini, në përgjigje të një pyetjeje për mosmarrëveshjet e fundit mes Greqisë dhe Shqipërisë, gjatë konferencës së shtypit me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, kancelari tha se në të gjitha mosmarrëveshjet midis vendeve të rajonit, Berlini është “në anën e procesit të anëtarësimit në BE, sepse dëshiron që kandidatët për anëtarësim ta arrijnë atë sa më shpejt”.

Scholz tha se është e nevojshme të shkohet drejt afrimit të mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilave iu dha premtimi për anëtarësim pikërisht 20 vjet më parë në Samitin e Selanikut 2003, shkruan “ATSH”.

Më 11 nëntor, Greqia vendosi të mos u bashkohet shteteve të tjera anëtare të BE-së për të plotësuar kërkesën e Komisionit Europian për hapjen e negociatave për tre grup-kapitujt e parë.

Shkak për këtë është mbajtja ende në burg e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit me akuzën për shitblerje votash. (Elona)