Takimi i krerëve të shtetit të Kinës dhe të ShBA-së në San-Francisko ishte pozitiv, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv, strategjik e me ndikim të gjerë, duke përbërë një ngjarje të rëndësishme në marrëdhëniet e sotme ndërkombëtare dhe një moment të shënuar historik në marrëdhëniet kino-amerikane, tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Mao Ning në një konferencë shtypi të enjten në Pekin.
Foto:Xinhua
Sipas saj, në takimin e së mërkurës sipas kohës vendore, presidenti kinez Xi Jinping u takua me ftesë me homologun amerikan Joe Biden në San-Francisko, duke treguar drejtimin dhe duke bërë planifikimin për një zhvillim të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Ajo tha se në takim u arritën më shumë se 20 konsensuse në fushat politike, diplomatike, të shkëmbimeve njerëzore e kulturore, të qeverisjes globale, ushtarake dhe të sigurisë. Këto konsensuse dhe arritje të rëndësishme vërtetojnë përsëri se Kina dhe ShBA-ja kanë interesa të gjera të përbashkëta dhe se përfitimi i ndërsjellë është karakteristika thelbësore e marrëdhënieve kino-amerikane. Dialogu dhe bashkëpunimi janë e vetme zgjedhje e duhur për Kinën dhe ShBA-në. “Takimi në San-Francisko është një takim i rëndësishëm për të rritur besimin dhe për të larguar dyshimet, për të menaxhuar dallimet dhe për të zgjeruar bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve. Ai është gjithashtu një takim i rëndësishëm për shtimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në një botë plot luhatje dhe në transformim," vuri në dukje zëdhënësja.
Foto:Xinhua
Siç mësohet, të dy krerët e shteteve ranë dakord që të rifillojnë komunikimi i nivelit të lartë midis dy ushtrive në bazë të barazisë dhe respektit, takimet e punës të Ministrive të Mbrojtjes të dy vendeve dhe takimet lidhur me Marrëveshjen Këshillimore Ushtarake Detare Kinë-ShBA, si edhe të zhvillohen bisedime telefonike ndërmjet komandantëve të zonave luftarake.
Lidhur me çështjen e Tajvanit, presidenti Xi Jinping deklaroi qëndrimin solemn të Kinës. Çështja e Tajvanit ka qenë gjithmonë çështja më e rëndësishme dhe më e ndjeshme në marrëdhëniet kino-amerikane. Shtetet e Bashkuara duhet ta mishërojnë qëndrimin e tyre për të mos mbështetur "pavarësinë e Tajvanit" në veprime konkrete, duke ndaluar armatimin e Tajvanit dhe duke mbështetur ribashkimin paqësor të Kinës.
Zëdhënësja tha gjithashtu se qëndrimi i Kinës për krizën në Ukrainë dhe konfliktin në Lindjen e Mesme është i vendosur dhe i qartë. “Ne qëndrojmë gjithmonë në anën e drejtësisë e të barazisë dhe jemi të përkushtuar për të promovuar paqen dhe bisedimet e për të çtensionuar situatën," u shpreh Mao Ning.(Zhang Yan/Artan)