Foto RTSH
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen, e quajti sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, të paaftë për të udhëhequr organizatën botërore, duke shtuar se ai nuk ka bërë mjaftueshëm për të dënuar grupin radikal palestinez, Hamas. Komentet e tij, në një konferencë për media brenda ndërtesës së OKB-së në Gjenevë, tregojnë për një rritje të kritikave ndaj OKB-së, shkruan “RTSH”.
“Guterres nuk e meriton të jetë shef i Kombeve të Bashkuara”,- tha Cohen, i cili shkoi në Gjenevë për takime me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe familjet e pengjeve izraelite.
“Mendoj se Guterres duhet të thotë qartazi dhe me zë të lartë: Lirojeni Gazën nga Hamasi. Të gjithë thanë se Hamasi është më i keq se ISIS-i. Pse nuk mund ta thotë ai?” - theksoi Cohen.
Guterres, nga ana tjetër, shprehu sërish shqetësimin për situatën e tmerrshme dhe humbjen dramatike të jetëve në disa spitale në Gaza dhe përsëriti qëndrimin për armëpushim të menjëhershëm humanitar. (Elona)