Foto: Stacioni i pompimit "Taierzhuang" në linjën lindore të Projektit të Devijimit të Ujit nga Jugu në Veri të Kinës fillon ta çojë ujin në qytetin Zaozhuang, në provincën lindore të Kinës Shandong, 14 nëntor 2023. / CFP
Faza e parë e linjës lindore të Projektit të Devijimit të Ujit nga Jugu në Veri të Kinës ka favorizuar më tepër se 68 milionë banorë në provincën lindore të Kinës Shandong gjatë funksionimit të saj në një dekadë, tha të mërkurën Kompania e Devijimit të Ujit nga Jugu në Veri të Kinës.
Projekti i Devijimit të Ujit nga Jugu në Veri ka tre linja, prej të cilave linja lindore transferon ujë nga provinca lindore Jiangsu në provincat Shandong e Hebei dhe në Tianjin, bëri të ditur kompania.
Linja e mesme, e cila nisi furnizimin me ujë në dhjetor të vitit 2014, është më e njohura. Ajo fillon nga rezervuari "Danjiangkou" në provincën Hubei të Kinës Qendrore dhe kalon nga provincat Henan e Hebei përpara se të arrijë në Pekin e Tianjin. Ndërsa linja perëndimore është ende në fazën e planifikimit.
Foto: Projekti Kyç i Administrimit të Ujit "Jiangdu" përgjatë rrugës lindore të Projektit të Devijimit të Ujit nga Jugu në Veri në qytetin Yangzhou të provincës Jiangsu të Kinës Lindore, 14 nëntor 2023. / CFP
Faza e parë e linjës lindore e projektit të ujit, me një gjatësi prej 1 467 kilometrash, transferon ujë nga lumi Jance në Shandong, duke përdorur kanalet dhe stacionet e pompimit.
"Ajo ka dërguar 6.14 miliardë metra kubë ujë në Shandong që kur filloi të furnizojë me ujë në nëntor 2013," bëri të ditur kompania.
Bazuar në konceptin e "ekuilbrit hapësinor", në bazë të këtij projekti është ndërtuar një rrjet ujor me shpërndarje optimale dhe dërgim të përbashkët ujërash nga lumi Jance, lumi Huaihe, Lumi i Verdhë dhe ujërat vendore.
Yuan Qitian, zëvendësdrejtor i Departamentit të Menaxhimit të Projektit të Devijimit të Ujit nga Jugu në Veri të Ministrisë së Burimeve Ujore të Kinës, i tha Grupit Mediatik të Kinës (CMG) se "faza e parë e linjës lindore të Projektit të Devijimit të Ujit nga Jugu në Veri ka optimizuar modelin e shpërndarjes së burimeve ujore për të garantuar sigurinë e ujit të pijshëm për publikun."
Ky projekt përmirëson më tej sistemin e rrjetit ujor të Jiangsu-së dhe ka formuar strukturën fillestare të rrjetit ujor në Shandong, ka rigjallëruar mjedisin ekologjik të lumenjve e liqeneve dhe ka lehtësuar qarkullimin ekonomik Jug-Veri, shtoi ai.