Pikë kufitare (Foto RTSH)
Gjermania dhe Greqia po mbështesin përpjekjet e Brukselit për të rifilluar marrëveshjen për refugjatët midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, pas një takimi me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, në Berlin, tha se marrëveshja ka pasur një efekt pozitiv, ndaj duhet të vihet në zbatim dhe të vazhdojë, shkruan “ATSH”. Kancelari Scholz do të presë të premten në një takim në Berlin edhe presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan.
Scholz tha se bisedimet midis Brukselit dhe Ankarasë lidhur me marrëveshjen për refugjatët po ndiqen nga afër nga Berlini. Kancelari gjerman tha se Turqia ka pranuar një numër të madh refugjatësh dhe ajo duhet të mbështetet.
“Por bashkëpunimi në kufijtë detarë dhe tokësorë të Greqisë dhe Turqisë duhet të jetë më efektiv”,- tha ai.
Foto nga VCG
“Ne po kërkojmë bashkëpunim me Turqinë në trajtimin e çështjes së refugjatëve”, - tha Mitsotakis. “Në muajt e fundit është punuar së bashku me autoritetet turke për të kufizuar sa më shumë numrin e anijeve që largohen nga brigjet turke”,- tha ai. Në Greqi, numri i emigrantëve të parregullt është rritur sërish këtë vit. Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), rreth 38 500 emigrantë kanë udhëtuar nga Turqia në Greqi, dhe BE, deri në fillim të nëntorit, krahasuar me rreth 18 700 persona vitin e kaluar.
Foto nga VCG
Në kulmin e krizës së refugjatëve në vitin 2016, Turqia arriti një marrëveshje me BE-në për të ndaluar aktivitetet e kontrabandës në kufirin turk dhe për të rikthyer emigrantët, kërkesat për azil të të cilëve u refuzuan në Greqi. Në këmbim, Ankaraja mori miliarda euro nga BE.
Megjithatë, Turqia nuk ka marrë mbrapsht asnjë emigrant nga Greqia që nga viti 2020. Arsyeja e dhënë në atë kohë ishte shpërthimi i pandemisë së koronavirusit. (Elona)