Kina shpreson që Europa të përmirësojë mjedisin e biznesit për investitorët kinezë
2023-11-15 20:25:13

Kina shpreson që pala europiane të krijojë një mjedis biznesi “të barabartë, transparent, të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm” për investitorët kinezë, u shpreh zëdhënësja e  Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning në një konferencë shtypi të organizuar të mërkurën në Pekin.

Foto:VCG

Foto:VCG

Dhoma Kineze e Tregtisë në BE publikoi të martën një raport për zhvillimin e ndërmarrjeve kineze në BE, ku përgjithësohet fokusi i bashkëpunimit të firmave kineze në vendet e Unionit dhe paraqitet një paketë propozimesh për përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit të biznesit të investitorët kinezë në BE.

“Ne shohim me kënaqësi se të ardhurat e ndërmarrjeve kineze në Europë po rriten. Tani gjithnjë e më shumë kompani kineze po përshpejtojnë zhvillimin e biznesit në fusha si ekonomia e gjelbër e digjitale, risitë teknologjike, zhvillimi i vazhdueshëm etj., duke mbajtur në mënyrë aktive përgjegjësinë e tyre shoqërore dhe duke nxitur punësimin dhe shtimin e mirëqenies së banorëve vendorë. Ato janë bërë pjesëmarrëse të rëndësishme në procesin e nxitjes së rigjallërimit ekonomik të BE-së,” u shpreh zëdhënësja Mao.

Megjithatë, sipas saj, në raport pasqyrohen edhe disa shqetësime të investitorëve kinezë, si prirja e politizimit dhe e lidhjes me sigurinë të çështjeve ekonomiko-tregtare, ndikimet e të ashtuquajturit “çrrezikim”, pengimi i bashkëpunimit tekniko-shkencor, efektshmëria e pamjaftueshme etj.

Foto:VCG

Vizitorë te pavijoni i prodhuesit kinez të makinave elektrike BYD, Mynih Gjermani, shtator 2023(Foto:VCG)

Znj. Mao theksoi se Kina dhe BE-ja janë forca të rëndësishme për krijimin e një ekonomie të hapur botërore dhe për mbrojtjen e rregullave të tregtisë shumëpalëshe. Të dyja palët duhet të ruajnë drejtimin e duhur të globalizimit ekonomik, të nxisin liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë e të investimeve, duke pakësuar barrierat e vjetra dhe të mos shtuar të reja, për ta ngritur bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë në një nivel më të lartë.

“Ne shpresojmë se pala europiane do të dëgjojë me vëmendje propozimet e arsyeshme të ndërmarrjeve kineze, do të zgjidhë kërkesat e ligjshme të tyre dhe do të zbatojë rregullat e ekonomisë së tregut me veprime konkrete, për të mbrojtur zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare Kinë-Europë, duke krijuar një mjedis të barabartë, transparent, të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm,” tha zëdhënësja e diplomacisë kineze.