Tetor, përshpejtohet mëkëmbja ekonomike e Kinës
2023-11-15 19:48:21

Ekonomia kineze vazhdoi të mëkëmbet në tetor, me një rritje më të madhe sesa pritej të treguesve kryesorë, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Kombëtare e Statistikave të mërkurën. 

Prodhimi industrial u shtua me 4.6 për qind krahasuar me tetorin e vjetshëm, 0.1 pikë përqindjeje më shumë se rritja në shtator dhe më tepër se shifra 4.4 për qind e parashikuar në një sondazh të "Reuters"-it. 

Foto:VCG

Foto:VCG

Shitjet me pakicë ishin 7.6 për qind më shumë se në tetorin e vitit të kaluar dhe 2.1 pikë përqindjeje më e lartë se rritja në muajin pararendës, duke tejkaluar përsëri parashikimin e "Reuters" për një rritje prej 7 për qind. 

Investimet në pasuritë fikse vazhduan të zgjerohen, me një rritje më të shpejtë të investimeve në industritë e teknologjisë së lartë. Nga janari në tetor, investimet në pasuritë fikse u rritën me 2.9 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme. 

foto: VCG

foto: VCG

Zhvillimi i industrive të prodhimit të teknologjisë së lartë dhe inteligjent është përmirësuar gjithashtu. Prodhimi i makinave me energji të reja dhe i qelizave diellore në tetor u shtua përkatësisht 27.9 dhe 62.8 për qind, sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave.

Norma kombëtare e papunësisë urbane mbeti 5.0 për qind në tetor, e pandryshuar nga muaji i mëparshëm. 

Fondi Monetar Ndërkombëtar e ngriti parashikimin e rritjes së PBB-së së Kinës për vitin 2023 në 5.4 për qind javën e kaluar, 0.4 pikë përqindjeje më lart se parashikimi i tetorit, falë treguesve që ekonomia kineze po fiton një impuls të mëtejshëm rritjeje.