Sllovakia me taksë bankare të jashtëzakonshme për të ruajtur standardin e jetesës
2023-11-15 15:57:40

Foto nga VCG

Qeveria sllovake ka planifikuar vendosjen e një takse të jashtëzakonshme bankare në mënyrë që të ulë barrën e interesit të individëve me kredi për strehim, që rritja e fortë e normave në treg të mos kërcënojë standardin e tyre të jetesës, bën të ditur “RTSH”.

Kabineti i udhëhequr nga kryeministri socialdemokrat, Robert Fico, thotë se nisma synon të vendosë një raport të drejtë midis taksimit të pronës dhe kapitalit dhe taksimit të të ardhurave nga puna.

Taksa e jashtëzakonshme është pjesë e programit që qeveria ka miratuar për politikat financiare.

"Qeveria propozon vendosjen e një takse bankare për të rishpërndarë fitimet e tepërta të institucioneve financiare brenda ekonomisë dhe për të siguruar që ato të financojnë pjesërisht funksionet themelore publike të shtetit",- thuhet në programin e qeverisë sllovake.

Në fushën e taksimit të të ardhurave personale, kabineti do të propozojë një progresivitet më të lartë, duke rregulluar fashat e bazës tatimore pa ndikuar negativisht në grupet me të ardhura të ulëta të popullsisë. 

Në deklaratën programore, kabineti ka përfshirë edhe synimin për mbledhjen e unifikuar të taksave, detyrimeve dhe tatimeve në bazë të raporteve financiare. Një nga supozimet bazë është futja e pagesës vjetore të kontributeve sociale. (Elona)