BE-ja do të aplikojë vizat digjitale Shengen
2023-11-15 16:29:18

Vizat BE (Foto Forbes India)

Vizat BE (Foto Forbes India)

Këshilli i BE-së miratoi dy rregullore të reja, sipas të cilave udhëtarët nga vendet e treta që dëshirojnë të vizitojnë vendet e zonës Shengen, pa kufij të Bashkimit Evropian (BE), së shpejti do të mund të aplikojnë për vizën e tyre në internet, shkruan “Xinhua”. 

“Mundësia e aplikimit për vizë Shengen në internet do të jetë një përmirësim i madh për qytetarët dhe për përpunimin e aplikimeve”,- tha Fernando Grande-Marlaska Gomez, ushtrues detyre i ministrit të Brendshëm të Spanjës. 

“Kjo do të thjeshtojë procesin e aplikimit për udhëtarët dhe në të njëjtën kohë do të lehtësojë barrën e administratave kombëtare, të cilat do të jenë në gjendje të përgjigjen më shpejt dhe me efektivitet”, shtoi ai. 

Dy rregulloret e reja do të krijojnë një platformë aplikimi për viza të BE-së, ku mund të ngarkohen të gjitha dokumentet përkatëse dhe të paguhen tarifat e vizave. 

Megjithatë, aplikimet personalisht në konsullata janë ende të nevojshme për aplikantët për herë të parë, për personat të dhënat biometrike të të cilëve nuk janë më të vlefshme dhe për personat me dokumente të reja udhëtimi. 

Në kontekstin e sfidave të fundit të emigracionit dhe sigurisë, si dhe të pandemisë Covid-19 që ngadalësoi ndjeshëm përpunimin e vizave dhe krijoi nevojën për më shumë procedura digjitale, Komisioni Evropian paraqiti një propozim legjislativ në prill 2022 që synon digjitalizimin e procedurave të vizave. 

Rregulloret e reja do të hyjnë në fuqi 20 ditë pas publikimit të tyre në Fletoren Zyrtare të BE-së, sipas Këshillit. 

Pasi të ketë përfunduar puna teknike për platformën e vizave dhe vizën digjitale, do të vendoset data e aplikimit të rregullave të reja. (Elona)