Me ftesë të homologut amerikan Joe Biden, presidenti kinez Xi Jinping do të shkojë në San-Francisko për një samit midis dy vendeve.
Duke qenë se kanë marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe në botë, kreu i shtetit kinez ka vënë në dukje se Kina dhe ShBA-ja duhet të ndjekin parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe përfitimeve të përbashkëta.
foto: CMG
Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës, vështirësitë aktuale në marrëdhëniet kino-amerikane lidhen me dështimin e ShBA-së në drejtim të respektit të ndërsjellë. Në shkurtin e sivjetshëm, farsa politike rreth incidentit të balonës çoi në një rënie të thellë të nivelit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Që nga gjysma e dytë e këtij viti, ShBA-ja ka shprehur shpesh dëshirën për të komunikuar me Kinën. Përfaqësues nga qarqet amerikane të politikës dhe biznesit kanë shkuar në Kinë më shpesh dhe pesë delegacione u pritën nga vetë presidenti Xi Jinping. Për shembull, vetëm këtë muaj, zyrtarë vendorë nga 22 shtete amerikane bënë vizitë në Kinë.
foto: CMG
Qëndrimi i ShBA-së u duk sikur dërgoi disa sinjale për "respekt të ndërsjellë", thuhet në koment. Megjithatë, politikat e gabuara ekonomike dhe tregtare të ShBA-së ndaj Kinës nuk kanë ndryshuar. Përkundrazi, ShBA-ja i ka intensifikuar kufizimet në fushat e teknologjisë së lartë, vijon ta përkufizojë Kinën si "rivalen më serioze gjeopolitike" dhe më shumë se 1300 kompani kineze ende janë përfshirë nga sanksionet, duke mos përmendur pastaj se ShBA-ja është ende duke ndërhyrë dhe "diktuar" në çështjen e Tajvanit, e cila është thelbi i interesave thelbësore të Kinës.
Sipas komentit, që nga dita e parë e kontakteve mes Kinës dhe ShBA-së, të dy vendet e dinin se ishin të ndryshëm në shumë aspekte, por kjo megjithatë nuk ndikoi në shkëmbimet mes tyre.
“Kina nuk ka dashur kurrë ta ndryshojë ShBA-në. Por ShBA-ja është përpjekur gjithmonë të riformësojë apo ndryshojë Kinën. Kjo është një rrugë e gabuar dhe do të dështojë,” shkruhet në koment.
Dhjetë vjet më parë, Kina, e cila sapo ishte bërë ekonomia e dytë në botë, tërhoqi "vëmendjen" e ShBA-së. Shumë shpejt, ShBA-ja krijoi një "strategji të ribalancimit të Azi-Paqësorit", që synonte të prishte qetësinë dhe qëndrueshmërinë rajonale. Në të njëjtën kohë, u formua Traktati i Partneritetit të Trans-Paqësorit (TPP) për ta përjashtuar Kinën nga qarku ekonomik i Azi-Paqësorit.
Megjithatë, në rrethana të tilla, presidenti Xi Jinping bëri vizitën e tij të parë në ShBA pas marrjes së detyrës se kreut të shtetit. Në takimet gjatë kësaj vizite, ai e bëri të qartë synimin e nxitjes së bashkëpunimit, jo ndarjes.
Jo vetëm kaq, por në samitin e APEC-ut në të njëjtin vit, ai propozoi ndërtimin e komunitetit me fate të përbashkëta të Azi-Paqësorit. Ky koncept u përfshi në deklaratën e përbashkët të APEC-ut dhe u bë vullneti i përbashkët i të gjithë anëtarëve, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Sipas komentit të CMG-së, në 50 vjetët e ardhshëm, gjëja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare është gjetja e rrugës së duhur të zhvillimit të marrëdhënieve kino-amerikane.
foto: CMG
Në kontekstin aktual të sfidave globale dhe acarimeve në rritje, bashkëpunimi kino-amerikan do t’i shtojë pa dyshim qëndrueshmërinë botës kaotike dhe do të ndihmojë në përmirësimin e mirëqenies së njerëzve në mbarë botën.
Kina i ka parë gjithmonë marrëdhëniet me ShBA-në nga perspektiva e mirëqenies globale. Por problemi është se ka gjithmonë forca që ndërhyjnë në këto marrëdhënie, duke i shtyrë në një skaj të rrezikshëm dhe duke sjellë panik në vendet e rajonit.
Tani, ShBA-ja ka dëshirë për të bashkëpunuar me Kinën në trajtimin e konflikteve rajonale. Pala kineze nuk ka refuzuar kurrë të bashkëpunojë, por, sipas komentit, kushti paraprak është se nuk mund të synohet bashkëpunimi me Kinën duke e frenuar atë, as të punohet me Kinën për të zgjidhur sfidat ndërkombëtare duke dëmtuar interesat e saj thelbësore.
Historia ka vërtetuar se Shtetet e Bashkuara dhe Kina mund të arrijnë rezultate të mëdha për të mirën e botës nëpërmjet bashkëpunimit si lufta antiterroriste, zgjidhja e krizës financiare globale apo nxitja e arritjes së Marrëveshjes së Parisit kundër ndryshimeve klimatike dhe zgjidhja e problemit të Lindjes së Mesme.
foto: CMG
Prodhimi e përgjithshëm ekonomik i Kinës dhe ShBA-së e tejkalon një të tretën e vëllimit të përgjithshëm botëror, popullsia e tyre zë gati një të katërtën e popullsisë botërore dhe vëllimi i tregtisë dypalëshe përbën afërsisht një të pestën e totalit botëror. Marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara janë sa të thella, edhe të gjera, dhe bota nuk mund të durojë keqkuptimet dhe gjykimet e gabuara nga të dyja palët.
“Kina dhe ShBA-ja duhet të eksplorojnë mënyra novatore për të krijuar një marrëdhënie ndërmjet fuqive të mëdha që është e ndryshme nga konkurrenca për burime dhe “loja ku fituesi i merr të gjitha” si në të kaluarën. Kina dhe ShBA-ja duhet të punojnë së bashku për ta bërë "kurthin e Tuqididit" një gjë të së kaluarës, mbyllet komenti i CMG-së.