Foto nga VCG
Një i dërguar kinez bëri thirrje të hënën për përpjekje më të mëdha për krijimin e një zone pa armë bërthamore në Lindjen e Mesme.
"Duke pasur parasysh kontekstin e tanishëm, bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë përpjekje më të mëdha për të mbështetur krijimin e një zone pa armë bërthamore dhe armë të tjera të shkatërrimit në masë në Lindjen e Mesme, çka është diçka e ngutshme dhe rëndësi të madhe për lehtësimin e pajtimit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Lindjes së Mesme dhe përparimin e procesit të paqes, tha Geng Shuang, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara.
Ambasadori theksoi se paqja dhe siguria në Lindjen e Mesme "lidhen jo vetëm me interesat e shteteve të rajonit, por edhe me qëndrueshmërinë globale."
"Për të përballuar sfidat e tanishme të sigurisë globale dhe rajonale, Kina këmbëngul që bashkësia ndërkombëtare duhet t'i përmbahet konceptit të sigurisë së përbashkët, të gjithanshme, në bashkëpunim dhe të qëndrueshme, të krijojë një arkitekturë të ekuilibruar, të efektshme dhe të qëndrueshme të sigurisë ndërkombëtare dhe të ndjekë një rrugë të re të sigurisë të karakterizuar nga dialogu në vend të kundërvënies, partneriteti në vend të aleancave dhe përfitimet e përbashkëta në vend të 'lojës ku fituesi merr gjithçka'," u shpreh ai.
Geng vuri në dukje se kjo është mençuria dhe rruga e Kinës për të zhdukur shkaqet rrënjësore të konflikteve ndërkombëtare dhe për të arritur qëndrueshmërinë dhe sigurinë rajonale.
"Çështja e Lindjes së Mesme, me kontradiktat e saj të ndërlidhura historike dhe të sotme, nuk mund të zgjidhet brenda natës. Ajo kërkon që të gjitha palët të respektojnë konceptin e sigurisë së përbashkët, të zbatojnë parimin e sigurisë së pandashme dhe gradualisht të formojnë një atmosferë të favorshme politike e diplomatike. tha ai,
Geng vuri në dukje më tej se mbajtja e autoritetit dhe efektshmërisë së regjimit ndërkombëtar të mospërhapjes bërthamore është vendimtare për krijimin e një zone pa armë bërthamore në Lindjen e Mesme.
"Kohët e fundit, ajo që zyrtarët izraelitë thanë rreth përdorimit të armëve bërthamore në Rripin e Gazës ka bërë bujë. Kina është e tronditur nga deklarata të tilla dhe ka shprehur shqetësimin e saj," tha ai.
"Një deklaratë e tillë është dënuar botërisht. Ajo është jashtëzakonisht e papërgjegjshme dhe shqetësuese. Deklarata të tilla janë kundër konsensusit ndërkombëtar se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet, janë kundër frymës ndërkombëtare për një Lindje të Mesme pa armë bërthamore dhe shkojnë kundër thirrjes mbizotëruese ndërkombëtare për të çtensionuar situatën, për të ndaluar armiqësitë dhe për të mbrojtur civilët," theksoi përfaqësuesi kinez.