Memorandumi i Mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, reagon KiE: Ngre shqetësime për të drejtat e njeriut, ka të ngjarë të dëmtohen garancitë thelbësore
2023-11-14 15:19:15

Foto nga VCG

Komisionerja Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatovic, ka deklaruar se Memorandumi i Mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, ngre shqetësime për të drejtat e njeriut, shkruan panorama.al. Në një deklaratë të publikuar në faqen e Këshillit të Evropës, thuhet se memorandumi i Mirëkuptimit krijon një regjim ad hoc ekstra-territorial të azilit i karakterizuar nga shumë paqartësi ligjore.

“Në praktikë, mungesa e sigurisë ligjore ka të ngjarë të dëmtojë garancitë thelbësore të të drejtave të njeriut dhe llogaridhënien për shkeljet, duke rezultuar në trajtim të ndryshëm midis atyre, kërkesat e të cilëve për azil do të shqyrtohen në Shqipëri dhe atyre për të cilët kjo do të ndodhë në Itali” shprehet Mijatovic.

Memorandumi i Mirëkuptimit është tregues i një përpjekjeje më të gjerë nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës për të ndjekur modele të ndryshme të kontraktimeve jashtë vendeve të BE-së për azilin si një "zgjidhje e shpejtë" e mundshme për sfidat komplekse që vijnë nga ardhja e refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve.(Fatosi)