Gjithçka varet nga njerëzit: Takimi në San-Francisko mes krerëve të shteteve të Kinës e ShBA-së ia vlen të pritet
2023-11-13 14:38:20

Nga historia në realitet, ka një mijë arsye që Kina dhe Shtetet e Bashkuara të kenë marrëdhënie të mira, dhe nuk ka asnjë arsye të vetme që ato të jenë të këqija. Një seri shkëmbimesh dhe dialogësh të fundit ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara kanë hedhur themelet për takimin midis krerëve të të dy vendeve në San-Francisko javën e ardhshme.

Ky është takimi i parë kokë më kokë mes dy krerëve të shtetit pas takimit të tyre në Bali vitin e kaluar. Të dyja palët do të kenë një komunikim të thellë për çështje strategjike, globale e orientuese që lidhen me marrëdhëniet kino-amerikane, si dhe çështjet kryesore që kanë të bëjnë me paqen dhe zhvillimin botëror. Bota pret me padurim që takimi i San-Franciskos ndërmjet krerëve të shtetit të Kinës e Shteteve të Bashkuara të fokusohet në bashkëpunim dhe të arrijë rezultate.

Foto nga VCG

Ky është një takim i arritur me vështirësi dhe "kthimi në konsensusin e Balit" është kyçi i tij. Arsyeja pse marrëdhëniet kino-amerikane kanë hasur në vështirësi gjatë vitit të fundit ishte se Konsensusi i Balit nuk u zbatua. Për shkak të një kuptimi të gabuar lidhur me Kinën, politikanët amerikanë ndoqën një politikë të gabuar ndaj Kinës. Në gjysmën e parë të këtij viti, nga organizimi i një "shfaqjeje politike me balonë" deri te miratimi i "tranzitit" të lideres tajvaneze Tsai Ing-wen në Shtetet e Bashkuara e zbatimi i kontrollit të eksportit të gjysmëpërçuesve në Kinë, Shtetet e Bashkuara kanë vepruar në një sërë mënyrash, që u shmangën nga konsensusi i arritur nga dy krerët e shtetit, duke dëmtuar interesat e Kinës dhe duke penguar procesin e dialogut ndërmjet Kinës dhe ShBA-së.

Që nga vizita e sekretarit të Shtetit të ShBA-së Antony Blinken në Kinë në qershor, Uashingtoni ka shfaqur një qëndrim të lehtësimit të marrëdhënieve kino-amerikane. Shtetet e Bashkuara duhet ta kuptojnë se kontrolli dhe shtypja e Kinës është e kotë dhe e pamundur. Zgjidhja e problemeve të tilla si ndryshimet klimatike, çështjet e nxehta rajonale, madje edhe rimëkëmbja ekonomike e ShBA-së, nuk mund të arrihen pa bashkëpunim me Kinën. Pas një devijimi të madh, Shtetet e Bashkuara duhet t'i rikthehen Konsensusit dhe agjendës së Balit.

Foto nga VCG

Kyçi i kthimit në Konsensusin e Balit qëndron te veprimi. Çështja e Tajvanit është thelbi i interesave thelbësore të Kinës dhe vija e kuqe e pakapërcyeshme në marrëdhëniet kino-amerikane. Së fundmi, Shtetet e Bashkuara deklaruan edhe një herë se politika e tyre e "Një Kine" nuk ka ndryshuar dhe se ato nuk mbështetin "pavarësinë e Tajvanit". Për më tepër, zyrtarët amerikanë kanë deklaruar vazhdimisht se ata "nuk kërkojnë shkëputje nga Kina" dhe besojnë se shkëputja ekonomike midis ShBA-së dhe Kinës do të sjellë "pasoja katastrofike për të dy vendet dhe botën". Këtyre deklarata ia vlen t'u kushtohet vëmendje, por më e rëndësishmja është që ato të mos mbeten vetëm fjalë e të kthehen në veprime.

Por në të njëjtën kohë, njerëzit kanë parë se Shtetet e Bashkuara ende po manipulojnë me projektligjet në lidhje me çështjen e Tajvanit dhe po i shesin armë Tajvanit; si edhe po përpiqen ta pengojnë Kinën në emër të "sigurisë kombëtare". Vetëm muajin e kaluar, Departamenti i Tregtisë i ShBA-së shtrëngoi më tej rregullat e kontrollit të eksportit të gjysmëpërçuesve në Kinë dhe shtoi 13 kompani kineze në "listën e subjekteve" të kontrollit të eksportit. Shtetet e Bashkuara duhet të ndryshojnë kursin dhe të zbatojnë tërësisht angazhimet politike të marra nga liderët amerikanë ndaj Kinës, pa luajtur me zjarrin apo pa bërë mashtrime.

Bota gjithashtu shpreson që, nëpërmjet takimit të San-Franciskos, Kina dhe Shtetet e Bashkuara ta njohin më mirë njëra-tjetrën dhe të kuptojnë rëndësinë që ka zhvillimi i brendshëm i secilit prej të dy vendeve për vendin tjetër. "Toka është e madhe dhe ka vend plotësisht për zhvillimin dhe begatinë e përbashkët të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara." Nga këndvështrimi i Kinës, të dy palët duhet të jenë partnere e jo kundërshtare, dhe marrëdhënia ndërmjettyre mund të jetë me dobi të ndërsjellë e jo me përfitim vetëm për njërin vend. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë gabimisht Kinën si "konkurrenten më të madhe strategjike". Nga politika ndaj Kinës me tre pika -  konkurrencë, bashkëpunim e konfrontim - deri në teorinë me tre pika: investim, aleancë dhe konkurrencë, ajo që mbetet e pandryshuar është logjika e hegjemonisë dhe e "lojës ku fituesi i merr të gjitha" që qëndron pas tyre.

Foto nga VCG

Por çfarë ndodh në realitet? Në Ekspozitën e 6-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës që sapo përfundoi, qeveria federale e ShBA-së mori pjesë me emrin e vet zyrtar për herë të parë. Po ashtu, më shumë se 200 kompani amerikane morën pjesë në ekspozitë, duke shënuar një nivel rekord. Kjo tregon plotësisht që interesat e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara janë të ndërthurura thellë dhe se askush nuk mund të bëjë pa tjetrin, askush nuk mund ta ndryshojë tjetrin dhe askush nuk duhet ta zëvendësojë tjetrin.

CMG-ja komenton se ky takim midis krerëve të shteteve të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në San-Francisko pasqyron më tej sinqeritetin dhe përgjegjësinë e lartë të Kinës lidhur me marrëdhëniet kino-amerikane dhe paqen e zhvillimin botëror. Shtetet e Bashkuara duhet të çlirohen nga "prangat" e konkurrencës ndërmjet fuqive të mëdha, nga ndikimi i mosmarrëveshjeve të brendshme partiake dhe interesat egoiste të politikanëve, të fillojnë me të vërtetë një dialog racional e pragmatik me Kinën nga perspektiva e interesave kombëtare e të njerëzve, si edhe e përgjegjësisë ndaj botës, dhe të bëjnë një menaxhim të mirë "në mbarë procesin", duke iu përgjigjur sinqeritetit me sinqeritet, veprimit me veprim. Nëse marrëdhëniet Kinë-ShBA do të vazhdojnë "të stabilizohen e të përmirësohen", kjo varet nga faktorët njerëzorë.