Zyrtarët e lartë ekonomikë të Kinës e ShBA-së kundërshtojnë shkëputjen
2023-11-13 11:39:30

Foto nga Xinhua

Kina dhe Shtetet e Bashkuara theksuan se nuk kërkojnë ndarjen gjatë bisedimeve që zëvendëskryeministri kinez He Lifeng, gjithashtu drejtuesi i palës kineze  për çështjet ekonomike dhe tregtare Kinë-ShBA, mbajti me sekretaren amerikane të Thesarit Janet Yellen gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara nga 8 deri më 12 nëntor. 

Pala kineze shprehu shqetësimin e vet lidhur me sanksionet e ShBA-së kundër ndërmarrjeve kineze, kufizimet e investimeve të dyanshme, kontrollin e eksportit dhe masat tarifore ndaj Kinës, duke kërkuar nga pala amerikane që të përgjigjet me veprime konkrete.

Të dy palët arritën konsensus të rëndësishëm dhe pranuan të forcojnë komunikimin, të kërkojnë konsensusin, të menaxhojnë dallimet e të shmangin keqkuptimet, të cilat mund të çojnë në përshkallëzimin e fërkimeve.  

Ato vlerësuan ngritjen dhe takimet e grupeve të punës ekonomike dhe financiare Kinë-ShBA. Nënkryeministri He dhe sekretarja e Thesarit Yellen ranë dakord gjithashtu të komunikojnë drejtpërdrejt me njëri-tjetrin në bazë të rregullt. 

Të dy palët mirëpritën edhe zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike të shëndetshme, duke ofruar një mjedis konkurrimi të barabartë për bizneset e punëtorët në të dy vendet dhe duke nxitur mirëqenien e të dy popujve.

Të dy palët ranë dakord të punojnë së bashku për të trajtuar sfidat e përbashkëta, duke përfshirë rritjen ekonomike, qëndrueshmërinë e rregullimin financiar, dhe për të bashkëpunuar në çështjet ekonomike lidhur me ndryshimin klimatik dhe problemet e borxhit të ekonomive me të ardhura të ulëta dhe të ekonomive të reja.

 Ato ranë dakord gjithashtu të forcojnë arkitekturën financiare ndërkombëtare, të nxisin plotësimin e kuotave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, si edhe të shtojnë përpjekjet për të forcuar zërin e vendeve/rajoneve të përfaqësuara pak nëpërmjet formulës së re të kuotave e të përshpejtojnë zbatimin e reformave të bankave shumëpalëshe të zhvillimit, për t'i bërë ato më të mira, më të mëdha dhe më të efektshme.