Netanyahu refuzon thirrjet për armëpushim: Lufta me Hamasin do të vazhdojë me forcën e plotë!
2023-11-13 11:20:09

Foto nga VCG

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar thirrjet e ndërkombëtarëve për armëpushim, duke thënë se beteja e Izraelit me militantët e Hamasit do të vazhdojë “me forcën e plotë”, raporton panorama.al.

Ai ka thënë se një armëpushim do të jetë i mundur vetëm nëse lirohen të gjitha 239 pengjet që mbahen në Gaza nga militantët e Hamasit.

Netanyahu i ka thënë këto në një adresim televiziv të shtunën, ndërsa ka insistuar se pas luftës, që tani është futur në javën e gjashtë, Gaza do të jetë zonë e demilitarizuar dhe Izraeli do ta mbajë kontrollin e sigurisë mbi të.

I pyetur se çfarë mendon me kontroll të sigurisë, Netanyahu ka thënë se forcat e Izraelit do të mund të futen lirshëm në Gaza dhe të përndjekin militantët.

Ai po ashtu ka refuzuar idenë që Autoriteti palestinez, që administron zonat autonome në Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli, do të ketë në një fazë kontroll mbi Gazën.

Pozicioni i Netenyahut është në kundërshtim me atë të SHBA-së. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, kishte thënë se SHBA-ja kundërshton riokupimin e Gazës nga Izraeli dhe se e sheh si zgjidhje një qeveri palestineze në Gaza e Bregun Perëndimor si hap drejt një shteti palestinez.