Takimi i ardhshëm midis krerëve të Kinës dhe ShBA-së tërheq vëmendjen e vendeve europiane
2023-11-13 22:20:49

Nga 15 deri më 17 nëntor në San-Francisko të ShBA-së do të zhvillohet Takimi Jozyrtar i Liderëve të APEC-ut për vitin 2023. Me ftesën e presidentit amerikan Joe Biden, presidenti i Kinës Xi Jinping do të vizitojë ShBA-në për të marrë pjesë në Samitin Kinë-ShBA, si edhe në Takimin e 30-të Jozyrtar të Liderëve të APEC-ut për vitin 2023. Takimi i ardhshëm mes dy krerëve të shtetit ka tërhequr vëmendjen e madhe të botës, duke përfshirë edhe Europën.

Foto: VCG

Foto: VCG

Richard Kozul-Wright, drejtori i Departamentit të Globalizimit dhe Strategjive Zhvillimore të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin, thekson:

Në botën e sotme, zgjidhja e shumë problemeve kërkon marrëdhënie të shëndetshme bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe ShBA-së. Vendet e mëdha duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në rrugën e përparimit. Ne duhet të kthehemi në një sistem me më shumë bashkëpunim dhe më pak kundërvënie. Nëse e shikon tregtinë nga aspekti i sigurisë kombëtare, tregtia shumëpalëshe do të dëmtohet. Nga këndvështrimi i OKB-së, kemi nevojë për një sistem shumëpalësh të shëndetshëm për të trajtuar dhe balancuar këto tensione.

Dr. Michael Borchmann, ish-drejtor i Departamentit të Çështjeve Evropiane e Ndërkombëtare në landin gjerman të Hesenit, thotë:

Takimi ndërmjet krerëve të dy fuqive më të mëdha ekonomike në botë, Kinës dhe ShBA-së, është një çështje shumë e rëndësishme. Tensionet ndërmjet dy vendeve nënkuptojnë gjithashtu tensione në të gjithë rajonin e Azi-Paqësorit dhe në botë. Është e kuptueshme që këto takime priten me padurim, dhe ndoshta mund të shpresojmë për njëfarë lehtësimi të tensioneve në marrëdhëniet dypalëshe.

Foto: VCG

Foto: VCG

Martin Sörös, gazetar dhe analist i pavarur austriak, vëren:

Së fundmi, Kina dhe ShBA-ja kanë treguar shenja inkurajuese të çtensionimit të marrëdhënieve. Pavarësisht dallimeve të ndryshme në drejtimin themelor mbi çështjet ekonomike, shoqërore dhe politike, ShBA-ja e pranon se nuk do të ketë asnjë fitues në kundërvënien përfundimtare me Kinën. Në këtë kontekst, liderët e BE-së duhet të kërkojnë dhe të gjejnë një mënyrë bashkëpunimi me Kinën drejt së ardhmes.

Rui Lourido, drejtori i institutit portugez të studimit të politikave “Observatori i Kinës”, tha:

Në skenën ndërkombëtare, ShBA-ja po përballet gradualisht me një personazh të ri, Republikën Popullore të Kinës, e cila nxit dialogun dhe mbron sistemin ndërkombëtar me OKB-në në qendër. Kina është plot gjallëri, ndjek diplomacinë gjithëpërfshirëse dhe praktikon multilateralizmin e vërtetë. Nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve me përfitime të ndërsjella dhe krijimit të forumeve e të platformave globale a rajonale ku pjesëmarrësit gëzojnë të drejta të barabarta, Kina po luan një rol të rëndësishëm në rritjen e ekonomisë botërore.

Enver Bytyçi, drejtori i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore, shprehet:

Marrëdhëniet e ekuilibruara, me dobi reciproke dhe të qëndrueshme kino-amerikane përputhen me interesat e të gjitha vendeve të botës, si edhe me nevojat praktike të Europës. Europa duhet të veprojë menjëherë me vendosmëri për të shtuar lidhjet ekonomike, tregtare e të investimeve me Kinën, për t’i krijuar kushte vetes për t’u shmangur nga konfliktet gjeopolitike dhe rreziqet të recesionit ekonomik.

Foto: VCG

Foto: VCG

Volodymyr Urusov, profesor i asociuar në Departamentin e Historisë në Universitetitn Shtetëror të Kievit, thotë:

Kina dhe ShBA-ja janë dy ekonomitë më të mëdha në botë. Vëllimi i përgjithshëm i ekonomive të tyre e tejkalon një të tretën e vëllimit të përgjithshëm ekonomik botëror, popullsia e tyre përbën gati një të katërtën e popullsisë së botës dhe vëllimi i tregtisë së tyre dypalëshe zë afërsisht një të pestën e vëllimit të përgjithshëm botëror. Interesat e të dyja palëve janë të ndërthurura ngushtë. Rimëkëmbja ekonomike globale, reagimi ndaj ndryshimeve klimatike dhe zgjidhja e çështjeve të nxehta ndërkombëtare e rajonale, të gjitha këto kërkojnë koordinim dhe bashkëpunim midis Kinës dhe ShBA-së.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning tha të hënën se Kina gjithmonë i vështron dhe i trajton marrëdhëniet kino-amerikane sipas tre parimeve të paraqitura nga presidenti Xi Jinping, pikërisht të respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta. ShBA-ja duhet të respektojë shqetësimet e arsyeshme dhe të drejtat e ligjshme të zhvillimit të Kinës, në vend që vetëm të theksojë shqetësimet e veta dhe të dëmtojë interesat e Kinës. (Artan/ Li Huailiang)