OBSH në alarm për spitalin e Al-Shifës në Gazë: Nuk lidhemi dot me kontaktet tona
2023-11-13 10:50:05

Foto nga VCG

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se nuk po arrin të komunikojë me pikat e kontaktit në Spitalin Al-Shifa në Gazën Veriore, njofton RTSH. Organizata e Shëndetësisë tha se "është shumë e shqetësuar për sigurinë e punonjësve të shëndetësisë, qindra pacientë të sëmurë dhe të plagosur, përfshirë foshnjat dhe njerëzit e shpërngulur që mbeten brenda spitalit. Numri i pacientëve raportohet se është pothuajse dyfishi mbi kapacitetin."

Spitali i Al-Shifës ka mbetur pa elektricitet prej ditës së shtunë. Sipas ushtrisë izraelite, rreth 200 mijë njerëz janë larguar nga Gaza Veriore drejt zonave jugore në tri ditët e fundit.  Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se që nga fillimi i luftës janë vrarë më shumë se 11 mijë banorë dhe mbi 4.500 fëmijë të Gazës,  ndërsa nga 7 tetori, kur Hamasi sulmoi Izraelin, autoritetet izraelite kanë raportuar 1.200 persona të vrarë.(Fatosi)