Pritet shtrëngimi i duarve përtej Paqësorit
2023-11-13 20:41:27

Nga 15 deri më 17 nëntor në San-Francisko të ShBA-së do të zhvillohet Takimi Jozyrtar i Liderëve të APEC-ut për vitin 2023. Me ftesën e presidentit amerikan Joe Biden, presidenti i Kinës Xi Jinping do të vizitojë ShBA-në për të marrë pjesë në Samitin Kinë-ShBA, si edhe në Takimin e 30-të Jozyrtar të Liderëve të APEC-ut për vitin 2023. Ky është takimi i dytë ballë për ballë mes dy krerëve të shtetit pas takimit të tyre në Bali të Indonezisë vitin e kaluar. Ky “shtrëngim duarsh përtej Paqësorit” ka tërhequr vëmendje globale.

Ministria e Jashtme e Kinës u shpreh se liderët e të dy vendeve do të bisedojnë për marrëdhëniet dypalëshe, si edhe mbi çështjet e rëndësishme që kanë lidhje me paqen dhe zhvillimin e botës. Kina gjithmonë i vështron dhe i trajton marrëdhëniet me ShBA-në sipas parimeve të respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta të paraqitura nga presidenti Xi Jinping. Stabilizimi dhe përmirësimi i marrëdhënieve kino-amerikane është në interes të të dy palëve dhe të botës.(Li Huailiang/Artan)