Netanyahu hedh poshtë thirrjet për armëpushim, thotë se beteja e Izraelit kundër Hamasit, do të vazhdojë
2023-11-12 12:19:32

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të shtunën se ushtria e vendit të tij do të vazhdojë betejën kundër Hamasit në Gazë me "të gjithë forcën", duke refuzuar thirrjet në rritje ndërkombëtare për një armëpushim.

Në një fjalim televiziv, zoti Netanyahu tha se armëpushimi do të ishte i mundur vetëm nëse militantët në Gazë do të lironin të gjithë personat e marrë peng gjatë sulmit të përgjakshëm të 7 tetorit. Rreth 240 persona mendohet të jenë marrë peng nga grupi militant, atë ditë.

Udhëheqësi izraelit tha gjithashtu se pas luftës Gaza do të çmilitarizohet dhe se kontrollin e sigurisë në këtë rajon do ta kishte Izraeli.

Ndërkohë të shtunën trupat izraelite dhe militantët e Hamasit, u përfshinë në luftime jashtë spitalit më të madh të Gazës, Al Shifa.

Ditët e fundit, luftimet pranë këtij spitali dhe të tjera objekteve shëndetësore janë intensifikuar ndërsa ato përballen me mungesë të energjisë elektrike e furnizime të nevojshme.

Ushtria izraelite thotë se Hamasi ka fshehur armë në tunelet nën spitale dhe ka ngritur një qendër komandimi nën Al-Shifa, spitali më i madh i Gazës, çka përligj sipas zyrtarëve izraelitë, sulmet ndaj tyre.

Megjithatë Forcat e Mbrojtjes izraelite hodhën poshtë pretendimet se kishin goditur spitalin Al-Shifa të premten, duke akuzuar për këtë Hamasin. Sipas zyrtarëve izraelitë, militantët kishin lëshuar një raketë që kishte patur si objektiv trupat izraelite, por në fakt ajo kishte goditur sipas tyre, spitalin.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Personeli mjekësor në Al-Shifa akuzoi Izraelin se po godet civilët me sulme pa dallim.

Drejtori i spitalit Mohammed Abu Selmia tha se të shtunën se në spital ishte ndërprerë energjia elektrike.

“Pajisjet mjekësore ndaluan së funksionuari. Pacientët, veçanërisht ata në kujdes intensiv, filluan të vdesin", tha ai gjatë një bisede telefonike ndërsa në sfond dëgjoheshin të shtëna e shpërthime. Ai tha se trupat izraelite po "qëllonin mbi këdo jashtë ose brenda spitalit".

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ushtria izraelite konfirmoi luftimet jashtë spitalit, por admirali Daniel Hagari hodhi poshtë pretendimet se spitali ndodhej nën rrethim. Ai tha se trupat do të ofrojnë ndihmë të dielën në lëvizjen e foshnjave që ndodhen në spital dhe se zyrtarët izraelitë po komunikojnë "drejtpërdrejt dhe rregullisht" me personelin e spitalit.