Foto nga CFP
Indeksi i çmimeve të konsumit në Kinë (CPI), një matës kryesor i inflacionit, u ul me 0.2 për qind në bazë vjetore në tetor, treguan të dhënat zyrtare të enjten, citon “Xinhua”.
Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave (NBS), në baza mujore, inflacioni ra me 0.1 për qind nga muaji i kaluar.
Shefi i statistikës së NBS, Dong Lijuan ia atribuoi rënien ofertës së mjaftueshme të produkteve bujqësore dhe zbutjes së kërkesës së konsumatorit pas Festivalit të Mesvjeshtës dhe festës së Ditës Kombëtare në fillim të muajit të kaluar. Çmimet e ushqimeve ranë 4 për qind në bazë vjetore në tetor, krahasuar me një rënie prej 3.2 për qind në shtator. Çmimi i mishit të derrit ra me 30.1 për qind nga një vit më parë, me ritmin e rënies që u përshpejtua nga rënia e shtatorit prej 22 për qind.
Në bazë mujore, çmimet e ushqimeve ranë me 0.8 për qind nga shtatori, gjë që Dong tha se është arsyeja kryesore e rënies mujore të këtij indeksi.
Wen Bin, kryeekonomist në “China Minsheng Bank”, tha se ulja e inflacionit në tetor erdhi pasi furnizimet e tregut të vendit tejkaluan kërkesën, e cila rezultoi nga një rikuperim i butë i kërkesës së brendshme, ndërsa kërkesa e jashtme mbeti e dobët.
Wen tha se ai pret që indeksi i çmimeve të konsumit të rifillojë rritjet e lehta në fillim të vitit të ardhshëm.
Të dhënat e së enjtes treguan gjithashtu se indeksi i çmimeve të prodhimit të vendit (PPI), i cili mat kostot për mallrat në fabrikë, ra 2.6 për qind në bazë vjetore në tetor.
Në baza mujore, PPI-ja e tetorit qëndroi e pandryshuar, pas luhatjeve të çmimeve të naftës së papërpunuar ndërkombëtare dhe metaleve me ngjyrë, deklaroi Dong. (Irma)