Kryemidiplomati amerikan: Izraeli nuk mund ta pushtojë Gazën
2023-11-10 09:56:44

Foto RTSH

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se është e qartë se Izraeli nuk mund të pushtojë Gazën, por mund të ketë nevojë për një periudhë tranzicioni në fund të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit, përcjell “Panorama”.

Përmendja e diplomatit të lartë amerikan për një periudhë tranzicioni erdhi si përgjigje ndaj komenteve të kryeministrit Benjamin Netanyahu, i cili në fillim të kësaj jave tha se Izraeli do të ketë përgjegjësinë e përgjithshme të sigurisë në Gaza për një periudhë të pacaktuar pas përfundimit të luftës me Hamasin.

Blinken tha se kishte dëgjuar nga zyrtarët izraelitë se ata nuk kanë qëllim të ripushtojnë Gazën dhe të mbajnë kontrollin e Gazës.

Blinken parashtroi kushtet e SHBA-së për paqe dhe siguri të qëndrueshme në Gaza pas luftës, duke theksuar se territori i saj nuk duhet të zvogëlohet ose pushtohet. (Irma)