Foto Xinhua
Zëvendëspresidenti kinez, Han Zheng, deklaroi se Kina do të vazhdojë të promovojë inovacionin për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike botërore, të kërkojë bashkëpunim përmes hapjes dhe të ofrojë më shumë mundësi tregu dhe investimesh për pjesën tjetër të botës, shkruan “Xinhua”.
Gjatë fjalimit të mbajtur në forumin “Bloomberg New Economy”, të zhvilluar në Singapor, zv.presidenti kinez tha se Kina ka qenë gjithmonë një mbështetëse, pjesëmarrëse dhe përfituese e globalizimit ekonomik.
Ai theksoi se pas 45 vitesh reformash dhe hapjeje, ekonomia kineze është integruar thellësisht me atë të pjesës tjetër të botës.
“Kina do të promovojë në mënyrë të palëkundur një nivel të lartë hapjeje ndaj botës së jashtme dhe është e gatshme të ofrojë më shumë mundësi tregu dhe investimesh për të ndarë përfitimet e hapjes së saj institucionale me kompanitë botërore”,- tha Han.
Ai vuri në dukje se Kina do të vazhdojë të krijojë më shumë dinamikë përmes inovacionit që është forca lëvizëse për ekonominë botërore për të përshpejtuar rimëkëmbjen dhe për të ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme.
“Kina do të bëjë më shumë përpjekje për të ndarë arritjet e inovacionit me vendet e tjera, do të adresojë së bashku sfidat e ndryshimeve klimaterike dhe do të injektojë një vrull të ri në rritjen ekonomike botërore.
Kina është e gatshme të punojë me vendet e tjera për të ruajtur paqen dhe sigurinë botërore, për të kërkuar zhvillim dhe prosperitet të përbashkët për të gjitha vendet dhe për të ndërtuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin”,- tha Han.
Forumi i gjashtë vjetor “Bloomberg New Economy” u zhvillua nën temën “Përqafimi i paqëndrueshmërisë”. Ai nënvizoi sfidat me të cilat përballet ekonomia globale dhe mundësinë për të adresuar çështjet themelore, si inflacioni i vazhdueshëm, tensionet gjeopolitike, rritja e inteligjencës artificiale dhe ndryshimet klimaterike. (Irma)