Kryediplomati europian: Situata në Gaza tepër serioze, duhen mbrojtur civilët
2023-11-10 10:47:17

Foto RTSH

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, deklaroi se situata në Gaza është shumë serioze dhe se po bëhet çdo gjë për të mbrojtur civilët.

Gjatë një fjalim para ministrave të Jashtëm të G7-s në Tokio, Borrell tha se situata humanitare në Gaza është tepër e vështirë dhe se BE-ja mbështet fuqishëm hapjen e korridoreve humanitare dhe pauzat humanitare për të dërguar ndihma, si dhe lirimin e pengjeve, shkruan “RTSH”.

“E di që ndalimi dhe mos përshkallëzimi aktual duket i vështirë, por ne duhet të bëjmë çmos për të liruar pengjet, për të lejuar personat me dy nënshtetësi të largohen nga Gaza, për të rritur ndihmën humanitare. BE-ja ka dhënë 100 milionë euro ndihma humanitare, duke e rritur atë ditët e fundit. Por e rëndësishme nuk është vetëm të kesh burime financiare, por aftësi për të hyrë në Gaza. Dhe për këtë kufiri duhet të garantojë një kapacitet më të madh transportues të ndihmave humanitare”,- tha Borrell. (Irma)