Foto Panorama
Komisioni Evropian ka miratuar planin ambicioz për rritje ekonomike në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë dokument shpalosen planet se si të ndihmohen vendet e Rajonit që të arrihet një përafrim në zhvillimin ekonomik me BE-në dhe të bëhen gati më shpejt për t’u anëtarësuar në union, shkruan “Panorama”.
Plani përmban një varg propozimesh për integrimin në shumë politika dhe programe të BE-së edhe para se të bëhen anëtare formale të bllokut.
Për t’i realizuar qëllimet e këtij plani të rritjes, Komisioni Evropian ka propozuar edhe një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027. Sipas planit, nga kjo shumë deri në 2 miliardë eurosh do të shkonin si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale. Një pjesë e këtyre mjeteve financiare do të mund të shkonin përmes pagesave direkte në buxhetet e vendeve të rajonit për t’u përdorur për këto qëllime.
Plan i ri për rritje në Ballkanin Perëndimor është i bazuar në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale; rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.
Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e tregut të përbashkët rajonal.
Realizimi i këtyre propozimeve do të rrisë lirinë e lëvizjes së mallrave, punëtorëve dhe shërbimeve edhe mes vendeve te rajonit, por edhe mes tyre dhe Bashkimit Evropian.
Lehtësime do të ketë edhe për të rinjtë, të cilët do të mund të studiojnë më lehtë në vendet e BE-së nëse realizohet ky plan.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe para se të anëtarësoheshin në BE, do të merrnin pjesë në disa grupe punuese të Bashkimit Evropian.
Por, Komisioni në propozimin e tij tërheq vërejtjen se vendet e rajonit paralelisht me përafrimin me bllokun, më shpejt duhet të rrisin bashkëpunimin ndërmjet vete dhe t’i realizojnë qëllimet e tregut të përbashkët rajonal. Në të njëjtën kohë, këto vende duhet të përshpejtojnë procesin e reformave, sidomos në fushën e rendit dhe sundimit të ligjit.
Komisioni Evropian beson se, nëse rajoni i Ballkanit Perëndimor i shfrytëzon mundësitë e planit për rritje, një të njëjtën kohë do të përshpejtojë edhe rrugëtimin drejt integrimit në BE. (Irma)