Bosnjë-Hercegovica zotohet të përmbushë kriteret e pranimit në BE
2023-11-10 10:26:07

Flamujt e BE-se dhe Bosnjes (Foto Aljazeera)

Komisioni Evropian i ka rekomanduar Këshillit të Evropës që negociatat e pranimit me Bosnjë-Hercegovinën duhet të nisin sapo vendi të ketë arritur nivelin e kërkuar të përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit, shkruan “Xinhua”.

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, e bëri njoftimin në Bruksel, ndërsa prezantoi raportin vjetor të progresit mbi rrugën e Bosnjës drejt anëtarësimit në BE.

Raporti iu paraqit kryetares së Këshillit boshnjak të Ministrave, Borjana Kristo, nga Johann Sattler, shefi i Delegacionit të BE-së dhe Përfaqësues Special në Bosnjë, në Sarajevë.

“Përpjekjet që partitë politike kanë demonstruar drejt pranimit kanë prodhuar rezultate pozitive dhe janë njohur. Megjithatë, raporti rendit gjithashtu disa pengesa në Bosnjë-Hercegovinë”,- tha Sattler në konferencën për shtyp në Sarajevë, duke shtuar se BE-ja e ka hapur derën gjerësisht dhe e ka ftuar Bosnjën të kalojë, por, sipas tij, vendi duhet të ndërmarrë veprime shtesë.

Kristo tha se qeveria boshnjake do të vazhdojë të punojë fort drejt integrimit në BE dhe drejt arritjes së 14 prioriteteve të reformave të përcaktuara nga BE-ja.

Ndër këto është heqja e pjesëve diskriminuese të Kushtetutës, në mënyrë që të gjithë qytetarët e vendit, jo vetëm serbët, kroatët dhe boshnjakët, të mund të zgjidhen në institucionet më të larta të pushtetit politik shtetëror. Prioritet tjetër është reformimi i Gjykatës Kushtetuese, me qëllim përfundimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në këtë gjykatë. Lista e përparësisë përfshin gjithashtu amendamentet në ligjin zgjedhor boshnjak, i cili do t'i afronte zgjedhjet me parimet demokratike të mosdiskriminimit dhe barazisë dhe do të parandalonte vjedhjen e votave.

Paketa e këtij viti për zgjerimin e BE-së ka dhjetë raporte të veçanta, gjashtë për vendet e Ballkanit Perëndimor, një për Turqinë dhe tre për vendet e Partneritetit Lindor: Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

Raportet individuale për vendet e rajonit vlerësojnë reformat e nevojshme për avancimin e integrimit evropian. Ukraina dhe Moldavia kanë marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në, ndërsa Gjeorgjia ka marrë statusin e kandidatit.

Bosnja u bë kandidate në dhjetor 2022. Këshilli i Evropës pritet të vendosë mbi rekomandimet e KE-së në mes të dhjetorit. (Irma)