Libri i bardhë, Xizang vazhdon t'i japë përparësi ruajtjes së mjedisit ekologjik
2023-11-10 21:42:43

Zyra e Informacionit të qeverisë kineze publikoi të premten një libër të bardhë, duke nënvizuar se Rajoni Autonom Xizang i Kinës Jugperëndimore vijon të jetë një model kombëtar dhe global për përparimin e mbrojtjes së mjedisit ekologjik. Rajoni ka marrë masa të gjithanshme për të balancuar ruajtjen dhe zhvillimin, duke përparuar drejt zhvillimit të gjelbër dhe të vazhdueshëm.

Foto:VCG

Foto:VCG

Sipas librit të bardhë, tani në Xizang ka 47 rezervate natyrore në nivele të ndryshme, të cilat mbulojnë një sipërfaqe prej 412 200 kilometrash katrorë.

Sondazhi i dytë kombëtar mbi kafshët dhe bimët tokësore në Kinë tregoi se numri i antilopave tibetiane u rrit nga mbi 70 000 në vitet 1990 në mbi 300 000 në Xizang.

Që nga viti 2016, përqindja e ditëve me cilësi të shkëlqyer ajrore në këtë rajon autonom ka arritur në mbi 99 për qind çdo vit.

Ndërkohë, Xizang ka përshpejtuar ndërtimin e një baze kombëtare të energjisë së pastër, e cila tani përbën gati 90 për qind të kapacitetit të instaluar të prodhimit vendor të energjisë elektrike. Kështu, rajoni ka kontribuuar edhe në objektivat e vendit për arritjen e kulmit në lëshimin e karbonit dhe të neutralitetit të karbonit brenda afatit të caktuar.

Në librin e bardhë nënvizohet angazhimi i rajonit për të përmirësuar vazhdimisht sistemin e tij të qeverisjes së mjedisit ekologjik.

Foto:VCG

Foto:VCG

Një sërë politikash, rregulloresh dhe ligjesh janë përpiluar dhe zbatuar, duke përfshirë Planin për Mbrojtjen e Mjedisit Ekologjik dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm në Rrafshnaltën Qinghai-Xizang, Ligjin e Republikës Popullore të Kinës për Ruajtjen Ekologjike në Rrafshnaltën Qinghai-Xizang, dhe Rregulloret mbi Zhvillimin e Modelit Kombëtar të Eko-Qytetërimit në Rajonin Autonom Xizang etj.

Xizang ndjek një menaxhim të ndërthurur për mbrojtjen e mjedisit, ku përfshihen ruajtjet sistematike të maleve, lumenjve, pyjeve, tokave bujqësore, liqeneve, kullotave, shkretëtirave dhe akullnajave. Janë caktuar administratorë për mbrojtjen e secilit lumë, liqen, pyll dhe kullote.

Ndërkohë, qeveria qendrore e Kinës ka nisur studimin e dytë gjithëpërfshirës shkencor mbi ujin, mjedisin ekologjik dhe aktivitetet njerëzore në Rrafshnaltën Qinghai-Xizang dhe ka kryer një analizë të plotë për ndryshimet mjedisore lokale dhe të mekanizmave të tyre, thuhet në librin e bardhë.

Kjo, sipas dokumentit, ka gjeneruar një numër teorish origjinale në qarqet ndërkombëtare të  gjeoshkencës dhe shkencave të jetës, duke shtuar ndjeshëm njohuritë e njeriut për rrafshnaltën.(Zhang Yan/Eda)