Shtëpia e Bardhë paralajmëron Izraelin kundër ripushtimit të Gazës
2023-11-09 11:41:31

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Shtëpia e Bardhë ka njoftuan se nuk beson se forcat izraelite duhet të ripushtojnë Gazën pas qëndrimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se vendi do të ketë përgjegjësinë e sigurisë në Gaza për një periudhë të pacaktuar pas përfundimit të luftës, shkruan “RTSH”.

“Presidenti ende beson se një ripushtim i Gazës nga forcat izraelite nuk sjell asgjë të mirë. Nuk është mirë për Izraelin; nuk është mirë për popullin izraelit. Një nga bisedat që kryediplomati Blinken ka pasur në rajon është se si do të duket Gaza pas konfliktit. Sepse, sido që të jetë, nuk mund të jetë ajo që ishte më 6 tetor. Nuk mund të jetë Hamasi”,- tha koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për komunikimet strategjike, John Kirby, për “CNN”.

Paralajmërimi i fundit nga Shtëpia e Bardhë vjen pasi Netanyahu deklaroi ditë më parë se Gaza duhet të qeveriset nga ata që nuk duan të vazhdojnë rrugën e Hamasit. “Izraeli do të ketë përgjegjësinë e sigurisë në Gaza, sepse e kemi parë se çfarë ndodh kur nuk e kemi atë”,- tha ai.

Ky ishte një nga sugjerimet e para që Netanyahu ka dhënë në lidhje me vizionin e tij për një Gazë të pasluftës. (Elona)